PRIMO, në treg për të forcuar komunikimin
Shoqëria që ofron shërbime të fushës së telekomunikacionit, PRIMO ka hapur dje pikën e parë të shitjes në Tiranë, duke iu gjendur më pranë konsumatorit shqiptar. AOL SP (Ofrues i shërbimit të Internetit), pjesë e Grupit të Telekomit Slloven, bashkë me shoqërinë a saj bijë, AFB ("Albanian Fiber Backbone"), janë duke u regjistruar nën emërtimin e përbashkët "PRIMO Communications" Sh.p.k. Në fillim të 2009-ës kompania do të bashkohet me kompaninë "H-Communications", operator i telefonisë fikse, i cili është blerë para pak kohësh nga AOL SP. Bashkimi në një të vetme i këtyre tri kompanive të njohura përfaqëson një hap të ri zhvillimi për ofrimin, shtrirjen dhe forcimin e infrastrukturës telefonike dhe shërbimeve të telekomunikacionit. PRIMO synon të jetë serioze në treg, me ambicie të qarta, duke pretenduar të konkurrojë fuqishëm operatorin fiks kombëtar. Sikundër është bërë e ditur, "Telekomi Slloven" bleu 75% të aksioneve të AOL SP, nga ku pritet të përftohen arritje më efektive në treg. Drejtori i Shoqërisë, Ylli Panariti, theksoi se, "tani jemi në nivele më të larta, ndjehemi më të fortë dhe konkurrues më të fuqishëm. Ne kemi fituar eksperiencë të re. Për këtë arsye, nuk parashikoj lindjen e ndonjë problemi. Në etapat e mëtejshme të procesit të bashkimit, shpresojmë që kjo fazë të përfundojë në fund të këtij viti. Procesi nuk paraqet ndonjë ndikim negativ në zhvillimin e aktivitetit të përditshëm të shoqërisë". PRIMO është një nga ofruesit më të mëdhenj, kryesorë të internetit dhe shërbimeve VoIP në Shqipëri dhe parashikon që në pesë vitet e ardhshme të investojë 20 milionë euro. Kompania zotëron një rrjet të pavarur dhe të zhvilluar të fibrave optike dhe lidhjeve valore. Avantazhet e kësaj kompanie në treg janë një numër shërbimesh si akses interneti me brez të gjerë (ADSL), telefon IP, transfertë të dhënash, telefon fiks, krijim dhe mbajtje sitesh web. Aktualisht, shoqëria liston rreth 6000 abonentë, ndër të cilët shumë firma biznesi, ndërsa në të ardhmen pritet zgjerimi i aksesit të internetit me brez të gjerë.