“Ligji do të zbatohet me transparente, sipas standardeve”
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli komenton ligjin e dosjeve
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që ka dhënë me homologun e saj turk Toptan i është përgjigjur interesimit të medias mbi ligjin e miratuar “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”.
Referuar edhe kundërshtimeve nga ana e ndërkombëtarëve, Topalli garantoi me bindje se ligji “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve ”, do të zbatohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me të gjitha standardet e kërkuara nga Strasburgu”.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “Parlamenti ka votuar me shumë dinjitet këtë ligj. Ajo që ne duam të garantojmë është që zbatimi i këtij ligji të bëhet në mënyrë transparente dhe në përputhje me të gjitha standardet e kërkuara nga Strasburgu”.
Topalli bëri të ditur se ligji është në përputhje të plotë me standardet evropiane, pasi “Ky është shteti ligjor i mbështetur në atë ç'ka është morale, mbi transparencën dhe mbi principet, me të cilët funksionon demokracia në vendet e lira”, deklaroi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.