Imzot Rrok Mirdita: Të hapen dosjet, është koha të vendoset standardi i duhur moral

Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë - Durrës, Imzot Rrok Mirdita shprehet në një intervistë televizive se është “pro” hapjes së dosjeve, duke kërkuar përqendrim tek njerëzit që janë në instancat e larta të pushtetit, e që me të vërtetë japin një shembull të papranueshëm morali për shoqërinë shqiptare
TIRANE - Arqipeshkvi i Tiranë – Durrës, Imzot Rrok Mirdita në një intervistë për ALSAT në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili në vigjilje të krishtlindjeve flet për besimin e krishterë në Shqipëri dhe botë. Gjate kësaj interviste është trajtuar edhe një moment mjaft i debatueshëm në këtë kohe, çështja e hapjes së dosjeve. Imzot Rrok Mirdita mbështet hapjen e tyre. Sipas tij është koha që gjërat të vendosen në vendin që u takon.
Çfarë ndodhi me shqiptarët që pas viteve 60 u larguan me dhunë nga zoti?
Unë po citoj një thënie të Papa Leonit të Madh, një ndër më të mëdhenjtë në historinë e Kishës kur ai u drejtohej të krishterëve ne gjuhën latine me thënien “Njihe o i krishterë dinjitetin tënd”. Zoti është bërë njeri, për ti bërë të mundur njeriut që të njoh zotin më mirë, më afër. Dashuria e pafundme e Zotit që nuk ka kursyer as birin e vet, dhe na e dërgoi sikurse një njeri, te jetë një vëlla i joni që ta kemi më afër ta dëgjojmë nga goja e tij gjithçka që na zbulon mbi misterin pashqyrtueshëm që është përmbi zotin sepse truri jonë është tepër i vogël për të mbuluar pafundësinë e zotit. Sigurisht ndalimi i besimit ose qitja jashtë, braktisja prej një familjes është një gjë jashtëzakonisht tragjike, në qoftë se kjo bëhet nga një vend, nga një komb është edhe më tragjike, edhe nëse kjo ndodh me një dekret ose me Kushtetutë sikurse ka ndodhur nëse nuk jam gabim në vitin1967 në Shqipëri atëherë është tragjedia më e madhe për një popull. Sigurisht në qoftë se një popull i dëshiron të keqen ose në qoftë se ekziston një rrugë që e çon një popull në një të pa të ardhme absolute është ajo ku njeriu braktis zotin. Unë gjithmonë u kam thënë njerëzve në rolin tim si predikatar, gjatë përkujdesjes sime për shumë vite në SHBA nëse dikush ka dyshime se çfarë ndodh me një njeri, më një familje, me një komb kur i qet jashtë Zotin të shkojnë në Shqipëri të shohin. Atje do ta prekin nuk ka nevojë për teori të shfletojnë libra apo traktate teologjike apo filozofike. Sigurisht kjo ka qenë tragjedia më e madhe që ka mujt me i ndodh një populli që me ligj të përjashtohet zoti në mënyrë publike sepse brendapërbrenda njerëzve është e pamundur që besimin dikush ta eliminojë.
A solli kjo në atë kohë më tepër dhunë, padrejtësi, mëkat?
Më kujtohet një thënie e Dostojevskit te “Krim dhe dënim”, nëse nuk gaboj ku thotë “Nëse nuk ka zot sikurse peshku i madh ha të voglin dhe askujt nuk i bie ndërmend, është një padrejtësi”. Është një gjë e natyrshme në natyrën e kësaj kafshe. Pra nëse nuk ka zot gjithçka është e lejume, as ka mëkat as ka përgjegjësi, pra edhe vrasjet edhe persekutimet , kur kemi përjashtuar zotin kur e kemi qitur jashtë besimit tonë, dhe kur nuk ekziston më një fuqi e mbinatyrshme që është zoti atëherë kjo është krejtësisht normale. Nuk ka më një autoritet ku ne do përgjigjemi nëse kemi bërë mirë apo keq. Dhe në këtë kuptim kjo patjetër është reflektuar edhe në shoqërinë tonë sepse pa dashur të bëhem ai që duhet të vlerësojë apo të bëj kritikat sepse unë e kuptoj mirë situatën që ka dominuar për vite me radhë, gabimi më i madh dhe ai që nuk falet, pa marrë parasysh njerëzit mund të kenë qëndrime të ndryshme për sa i përket besimit fesë, megjithatë të besosh në zotin është e drejta më thelbësore e njeriut. Në Shqipëri fatkeqësisht ka ndodhur kjo, ne nuk jemi në gjendje të japim gjykime të sakta por jam më se i bindur që shumë pasoja të cilat i përjetojmë edhe sot janë për shkak të atyre viteve kur gjenerata të tëra janë formuar me një frymë dhe shpirt antifetarë, dhe kjo është imponuar me forcë janë përdorur të gjitha mjetet.
Aktualisht ka një debat të gjerë për hapjen e dosjeve, keni një qëndrim për këtë çështje?
Unë uroj që e gjithë kjo të mos degradojë në diçka që nuk i shërben kësaj shoqërie dhe këtij momenti ku kemi arritur tani, por sidoqoftë të vërtetës nuk duhet ti ikim asnjëherë. Kjo e vërtetë duhet të zbardhet edhe pse ata njerëz që kanë qenë viktima e meritojnë një sadisfaksion minimum moral që shoqëria më në fund përmes institucioneve zyrtare e ka njohur atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Gjithmonë jo për një hakmarrje, jo për ti hapur derën spekulimeve, apo një përçarjeve në shoqëri. Unë mendoj se është e domosdoshme, nëse me të vërtetë përqendrohet te njerëzit që pretendohet ose që janë në instancat e larta të pushtetit. Më kujtohet mirë një thënie, unë kam jetuar për një kohë të gjatë në SHBA dhe ishte vendi i parë ku unë vërtet kam takuar me një shoqëri ku demokracia nuk është vetëm në letër, dhe më kujtohet në kohën e Presidentit Regan, kur ai emëroi një gjykatës, të njohur por u bë problem për disa artikuj të tij kur ai si jurist i ri kishte shkruar në disa revista, të cilat kishin pasur një shije jo të mirë për shkak se atje janë shumë të ndjeshme çështjet raciale. Këto artikuj shkaktuan që një njeri që kishte të gjitha kualitetet, senati refuzoi ta aprovonte.
Pra ju jeni dakord?
Absolutisht nuk jam për atë që njerëzit të cilët për rrethana që dihen apo nuk dihen, me entuziazëm më tepër a më pak, por që kanë qenë në poste të tilla dhe që kanë vendosur, ndonjëherë kanë kapërcyer edhe ligjet e asaj kohe të gëzojnë të njëjtat poste edhe sot në liri, kjo nuk do të ndodhte në asnjë vend demokratik. Jam që të ndahet shapi nga sheqeri. Sepse shpeshherë bëhen edhe spekulime dhe insinuata të ndryshme dhe përfshihet dikush që s’ka dhe përjashtohet dikush që ka të bëje.
Mendoni se 18 vite më pas shoqëria shqiptare ka arritur të pastrohet sa duhet nga periudha komuniste ?
Të them sa duhet nuk e di nuk jam i sigurt. Që ka bërë me siguri që po. Një gjë që është nga bindja ime është ajo që thonë “Fal por mos harro” Mendoj që të gjithë ne nuk duhet të urrejmë kurrfarë ndjenje urrejtje dhe hakmarrje. Ai që ia do të mirën këtij vendi por besimi nuk lejon që të urresh atë tjetrin, por të duash edhe armikun. Por që të harrohen sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë, atëherë është rreziku që ato mund të përsëriten, jo në të njëjtën formë. Mendoj që populli shqiptar i cili ka provuar më tepër se asnjë komb tjetër në Evropë, një lloj degradimi të personalitetit më dhunë. Prandaj ti vendosim gjërat aty ku u përket të qëndrojnë, dhe duke pasur në vëmendje që të mos biem në të njëjtat gracka.