“Në pranverë, Shqipëria në NATO, do t’i shërbejë stabilitetit rajonal”
Krerët më të lartë të shtetit presin në takime të veçanta Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë Koksal Toptan
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha pati dje një takim me Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Koksal Toptan.
Kreu i qeverisë, pasi i uroi mirëseardhjen, u shpreh i bindur se vizita e zotit Toptan është një kontribut i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, të vendosura mbi baza shumë të forta historike. Kryeministri Berisha dhe Toptan theksuan se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer dhe bashkëpunimi ekonomik është rritur, por ky bashkëpunim, u shprehën ata, duhet çuar në një nivel edhe më të lartë.
Kryeministri i shprehu falënderimet për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha proceset e integrimit në NATO dhe modernizimit të vendit.
Duke vënë theksin në dy projektet madhore për Shqipërinë, integrimin në NATO dhe BE, Kryeministri Berisha e njohu Toptan me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të përmbushur kriteret dhe standardet e kërkuara në këtë drejtim.
Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë u shpreh me bindje se Shqipëria do të jetë anëtare e NATO-s në pranverën e vitit të ardhshëm dhe se kjo do të jetë një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin në rajon.
Kryeministri Berisha e njohu, gjithashtu, Toptan me reformat ekonomike edhe në sistemin fiskal, të cilat kanë sjellë një rritje dyshifrore të ekonomisë së vendit, rritje e cila pritet që edhe vitin e ardhshëm të shihet me optimizëm. Lidhur me këtë, Toptan u shpreh se një rritje dyshifrore si kjo në një periudhë krize të ekonomisë botërore, mbi të gjitha me një inflacion të ulët është impresionuese.
Toptan u shpreh se Turqia ndjek me vëmendje të vazhdueshme dhe vlerëson shumë zhvillimin e lartë ekonomik të Shqipërisë, si rrjedhim i reformave mjaft të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, gjë që e bën shumë të lumtur qeverinë dhe popullin turk.
Kryeministri Berisha nënvizoi ndihmën e pashlyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, në arsim, në modernizimin e Forcave tona të Armatosura, në kulturë, në tregti, posaçërisht në këtë fundit, u shpreh Kryeministri, po zbatohet me sukses Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, si një faktor i rëndësishëm në rritjen e shpejtë të volumit ekonomik midis dy vendeve në tre vitet e fundit.
Toptan i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta të Presidentit Gül dhe kryeministrit Erdogan.
Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave, Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Topi shprehu edhe një herë mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe miqësore që iu ofrua gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, duke nënvizuar se takime të tilla të nivelit të lartë i shërbejnë perspektivave më të mira të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Në vijim të bisedës, kryetari i Shtetit vuri në dukje disa prej arritjeve kryesore të vendit tonë në kuadër të përmbushjes së aspiratës për integrimin euroatlantik të vendit.
Nga ana e tij Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan, i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë të shkëlqyera, vëllazërore dhe tradicionale. Toptan vlerësoi gjithashtu edhe rolin dhe kontributin e rëndësishëm që ka Shqipëria dhe faktori shqiptar për një Ballkan të qetë, në paqe dhe të begatë.
Kryetari i Asamblesë së madhe të Turqisë, Koksal Toptan u prit dje edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kryetari i Asamblesë, Toptan vlerësoi si shumë thelbësor rolin pozitiv të Shqipërisë në paqen dhe stabilitetin rajonal, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një kontribut shumë i rëndësishëm jo vetëm për rajonin por edhe për paqen në kuptim më të gjerë.
Duke vlerësuar progresin që Shqipëria ka bërë, Toptan deklaroi se “ne e dimë se Shqipëria ka ecur shumë përpara ka bërë reforma të mëdha dhe reflekton stabilitet të fortë politik dhe ekonomik. Për të gjithë këtë progres Shqipëria meriton të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Po ashtu besojmë se shumë shpejt ju do të jeni anëtarë të Bashkimit Evropian”.