Ligji emergjent antimafie
Gurali Brahimllari
Duke qenë pjesë e grupit të punës për përmirësimin e ligjit kam dhënë disa herë opinionin tim për defektet e ligjit aktual, për shkaqet e bllokimit apo jo efektivitetit të tij, jam shprehur për nevojën e ndërhyrjes emergjente në këtë ligj si dhe për kujdesin që duhet treguar për të mos kaluar kufijtë që përcakton objekti dhe qëllimi i këtij ligji. Për të gjithë është e duhet të jetë qartë se ligji, në mënyrën se si është ndërtuar, sa do ndryshime të bëhen në të, në thelbin e tij mbetet lufta ndaj krimit të organizuar nëpërmjet sekuestrimit e konfiskimit të pasurive të dyshuara se janë vënë si rrjedhojë e veprimtarisë kriminale të zotëruesit të tyre. Pra ky ligj nuk merr përsipër e nuk mund të rregullojë tërësinë e pasurive që mund të jenë vënë në mënyrë të paligjshme, por vepron vetëm ndaj pasurive të atyre subjekteve që dyshohen se janë përfshirë në një veprimtari kriminale të posaçme, të parashikuar shprehimisht në këtë ligj(neni 3). Pra shkalla e pjesëmarrjes në veprimtari kriminale e subjektit mbi pasuritë e të cilit ligji duhet të veprojë, duhet të jetë e tillë që të ketë të bëjë me krimin e organizuar, me trafikun e qenieve njerëzore, të drogave, të armëve ose me vepra të rënda penale që qëndrojnë afër krimit të organizuar.
Çdo devijim nga ky thelb, do të sjellë kontradikta mes dispozitave të ligjit, konfuzion të ri dhe vështirësi në praktikën e zbatimit të tij.
Prandaj për projektligjin në diskutim, përpara se ai të miratohet në Parlament kam ngritur e ngre disa shqetësime.
Kështu mendoj se, krahasuar me ligjin aktual, projektligji në diskutim nuk duhet të zgjerojë rrethin e personave mbi të cilin vepron, rrethin e veprave penale që nuk kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe as mundësinë e veprimit të tij në kushtet kur ende nuk është regjistruar e filluar një procedim penale për subjektin që zotëron asetet e dyshuara si kriminale.
Ndryshimi i propozuar në projektligj, duke e shtrirë veprimin e ligjit edhe ndaj personave që kanë një “standard të pajustifikuar jetese”, edhe pse ndaj tyre nuk ka filluar, nuk është regjistruar një procedim penal, në mënyrën siç paraqitet, është artificial dhe në kundërshtim me frymën tërësore të ligjit.
Eshtë nevojë e ligjit dhe kusht për efektivitetin e tij ekzistenca e detyrimit për organin e akuzës, që përpara se të kërkojë në Gjykatë veprimin e ligjit parandalues mbi pasurinë e një personi ose të të afërmve të tij, të ketë regjistruar një procedim penal ndaj tij, të ketë zhvilluar hetime të atij niveli sa që të ketë grumbulluar prova që do të krijonin dyshime për përfshirjen e subjektit në një veprimtari kriminale që ka të bëjë me krimin e organizuar.
Rrethi i veprave penale të përcaktuar në nenin 3 të ligjit aktual është i pamjaftueshëm dhe duhet të zgjerohet, por të mbetet brenda objektit të ligjit. Pra të parashikohen edhe ato dispozita penale që në vetvete nuk tregojnë për pjesëmarrje të subjektit në krimin e organizuar apo nuk përbëjnë trafikim, por janë të tilla që për nga natyra e tyre lidhen me trafikimin ose që qëndrojnë shumë afër krimit të organizuar si: “shfrytëzim i prostitucionit në rrethana të cilësuara”; “mbajtja dhe shitja e narkotikëve”; “prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”; “prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i paligjshëm i prekusorëve”; “mbajtja pa leje e armëve luftarake në sasi të mëdha”; “ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kur jepet për qëllime fitimi, kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, kur ka sjellë pasoja të rënda apo vdekjen e të dëmtuarit”; “pastrimi i produkteve të veprës penale” etj.
Nëse do të jetë e domosdoshme që të zgjerohet rrethi i veprave penale tej objektit dhe natyrës së këtij ligji apo nëse është e nevojshme që të parashikohet veprimi i ligjit parandalues edhe kur nuk është nisur ende një procedim penal apo nëse çmohet e përshtatshme nga ligjvënësit se duhet të sekuestrohet/ konfiskohet pasuria edhe personit vetëm sepse zhvillon një “standard të pajustifikuar jetese”, kam mendimin se do të duhet të shfuqizohet ligji aktual dhe të hartohet një ligj tërësisht i ri, duke ripërcaktuar në veçanti qëllimin, objektin, rrethin e personave dhe të veprave penale.
Por meqenëse ndryshimet duhet të jenë emergjente, do të ishte më efektive që të mos ngarkohej ligji edhe me vepra penale apo subjekte që nuk kanë të bëjnë me krimin e organizuar.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen në projektligj për të shmangur konfuzionin që ka ligji aktual lidhur me ndikimin e procedimit penal në gjykimin parandalues. Me të drejtë parashikohet se edhe në rastet kur gjatë procedimit penal i pandehuri nuk mund të deklarohet fajtor e të dënohet, sepse provat e marra në gjykim nuk krijojnë bindjen tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ai është autor i veprës penale, përsëri, për pasuritë e tij ai do të ketë barrën e provës që të justifikojë pasurinë.
E njëjta situatë do të ndodhë edhe në rastet kur procedimi penal pezullohet ose pushohet për shkaqe procedurale (i pandehuri është i sëmurë rëndë, bëhet i papërgjegjshëm ose vdes gjatë procedimit).
Por ndryshimet duhet të përcaktojnë qartë se ligji nuk mund të veprojë në rastet kur gjatë gjykimit penal, me vendim gjyqësor të formës së prerë provohet se: “fakti nuk ekziston”; “fakti nuk përbën vepër penale ose nuk parashikohet nga ligji si vepër penale” dhe sidomos në rastet kur “provohet plotësisht se i pandehuri nuk e ka kryer veprën penale, se ai nuk ka të bëjë fare me të, akuza është ngritur në subjekt etj.
Në ndryshime që duhet të bëhen në projektligj, është e nevojshme që të riformulohen e ridimensionohen edhe disa dispozita që trajtojnë anën procedurale të gjykimit të çështjes, fazat e gjykimit duke saktësuar se çfarë bëhet në secilën prej këtyre fazave dhe cilat janë detyrimet e të drejtat e secilës palë; a ka të drejtë pala që i sekuestrohet paraprakisht pasuria të bëjë ankim, apo rekurs për vendimin gjyqësor; çfarë lidhje ka mes sekuestrimit paraprak dhe sekuestrimit të pasurisë.
Në ligj parashikohet e drejta e ankimit ndaj vendimit të sekuestrimit ose konfiskimit, por siç është paraqitur projektligji nuk zgjidh momentin e deritashëm lidhur me afatin e paraqitjes së kërkesës për konfiskim të pasurisë së sekuestruar më parë, në rastet kur për vendimin gjyqësor është bërë ankim apo rekurs. Nuk është parashikuar as kohëzgjatja e çështjes në Gjykatën e Apelit, apo në Gjykatën e Lartë, duke mos e përjashtuar atë nga afati brenda të cilit akuza mund të paraqesë kërkesën për konfiskim. Po kështu nuk parashikohet rifillimi nga e para e afateve për paraqitjen e kësaj kërkese në rastet kur çështja kthehet për rigjykim etj.
Dikush mund të thotë se këto janë rregulla që i di çdo gjyqtar, prandaj nuk duhet të parashikohen. Nuk është kështu. Ishin paqartësitë në ligj që sollën prishjen e disa vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë nga Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë, ndonëse nga fryma e ligjit aktual duket qartë që nuk ka asnjë lidhje mes afatit të përcaktuar në nenin 9 e 10 të tij me ato që duheshin parashikuar sipas neneve 13 e 24, por asetet e sekuestruara iu kthyen të dyshuarve vetëm sepse “Prokurori nuk paraqiti kërkesën për konfiskim brenda 6 muajve”, ndërkohë që ndaj vendimit të sekuestros ishte bërë ankim në Apel apo edhe rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ligji aktual dhe projekti i ndryshimeve të tij kanë edhe probleme të tjera, të cilat shpresojmë që do të trajtohen me kujdes përpara se të miratohen në Parlament, me synimin që ligji jo vetëm të forcohet, por të bëhet i qartë dhe tërësisht i zbatueshëm.
* Magjistrat
Gjyqtar, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda