E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia në gatishmëri, valë e re protestash të dhunshme

 

Pas natës të qetë të së dielës në Greqi janë kthyer sërish protestat e dhunshme, ndërsa policët përpiqeshin të mbronin veten nga goditjet e vazhdueshme me molotov kundër tyre. Tension të vazhdueshëm ka pasur përpara burgut të Korydallos, ku mbahet i dënuar polici, që 10 ditë më parë vrau 15-vjeçarin, Alexis Grigoriopoulos. Studentët që merrnin pjesë në protestat masive kanë deklaruar se Greqinë e pret edhe një javë tjetër trazirash, pas dhunës tetë ditore, që mbërtheu qytetet kryesore të vendit. Në planet e organizatave të së rinjve janë tubime përpara stacioneve të policisë e gjykatave, si dhe bllokimi i disa zonave në qytetet kryesore të Greqisë, pas një deklarate se zemërimi i të rinjve mund të rritej, pasi pas dhjetorit pritej humbja e 100 000 mijë vendeve të punës. “Një valë e re masive protestash do të godasë në fillim të vitit të ri kur, sipas vlerësimeve tona, 100 000 vende punë do të mbyllen, që do të thonë se shkalla e papunësisë rritet me 5 për qind më shumë”, tha për CNN Stathis Anestis, i Konfederatës së Përgjithshme të punëtorëve grekë. Një sondazh i kryer së fundmi ka treguar, se gjysma e grekëve besojnë se tensioni në protesta do të vijë në rritje, ndërsa 70 për qind mendojnë se qeveria i është përgjigjur në mënyrë të papërgatitur dhunës së protestave. Dhuna nisi pasi 15-vjeçari, Alexandros Grigoropoulos, u vra më 6 dhjetor nga policia. Studentët kanë hedhur molotov në drejtim të policëve gjatë ditëve të fundit, madje janë përpjekur t’i godasin ata me laser në sy. Protesta të ngjashme ka pasur edhe në Francë, Gjermani, Spanjë, Danimarkë dhe Itali. Sipas përllogaritjeve fillestare nga tregtarët athinas, të paktën 560 dyqane janë shkatërruar, 170 dega bankash dhe 17 hotele janë goditur me bomba benzine apo vandalizma të tjera. Protestat i kanë kushtuar deri tani Greqisë rreth 1.5 miliardë euro. “Universitetet janë dëmtuar për dy apo tri vjet”, tha Dimitris Haralambis, profesor i shkencave politike në Universitetin e Athinës. Ai ka cituar gjithashtu korrupsionin në administratën shtetërore, arsimin e dobët dhe mungesën e vendeve të punës si shqetësimet kryesore të studentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›