Tre denoncime për vjedhje me mashtrim
TIRANE - Tre persona janë çuar për ndjekje penale në Prokurorinë e kryeqytetit nga policia me akuzën e mashtrimit, për përfitim të hollash ndaj personave të ndryshëm. Dy prej të akuzuarve janë shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit dhe vjedhjes nëpërmjet mashtrimit, duke premtuar lehtësi për organizim biznesi apo nxjerrje vizash. Ivan Paparisto, 59 vjeç, banues në Tiranë, është denoncuar nga Mysret Belliu, 47 vjeç, duke i marrë një shumë prej 300 mijë lekësh të reja. Belliu mësohet se i ka paguar Paparistos shumën e mësipërme të parave, me qëllim për të hapur një biznes të tyre. Pas marrjes së parave, i akuzuari jo vetëm që nuk i ka kthyer paratë, por edhe biznesi sipas të dëmtuarit nuk është hapur. Elton Dine, 29 vjeç nga Korça, është denoncuar për mashtrim nga Lefter Simoni, pasi i ka premtuar atij t'i nxjerrë një licencë taksie kundrejt një shume prej 350 mijë lekësh. I fundit i denoncuar për mashtrim është Astrit Baculi, 38 vjeç, i cili është akuzuar nga një grua nga Shkodra se i ka marrë 5 mijë euro kapar në këmbim të një vize amerikane. Dy të akuzuarit e fundit janë shpallur në kërkim nga policia, duke qenë se pas denoncimit nuk janë gjetur prej saj. da.bi