E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligji i SHISH-it, amendamentet janë kushtetuese”

PD fton zërat kritikë të dalin në dritë dhe të tregojnë se ku qëndron ngërçi


Shumica parlamentare vlerëson edhe njëherë si korrekt dhe kushtetues ligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Partia Demokratike shprehet se ligji i ri është hartuar nga ekspertët më të mirë të qeverisë dhe vetë SHISH-it. Nisur nga akuzat e fundit të klikës opozitare, deputeti demokrat dhe anëtari i komisionit të ligjeve, Eduard Halimi thotë se ligji i ri nuk ka asnjë amendament antikushtetuese. “SHISH ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion në varësi të kryeministrit. Nuk ka qenë sot, është që në momentin kur është krijuar. Drejtori i SHISH emërohet nga Presidenti i Republikës me propozim të kryeministrit dhe ky është një fakt që në të vërtetë nuk është ndryshuar. Po ashtu dhe raportimi ashtu siç dhe vetë e kërkoi drejtori i SHISH do të rregullohej me të njëjtin vendim qeverie që ka funksionuar nga viti 1999 dhe në vijim dhe nuk ka ndonjë shkelje të ndonjë parimi. Nuk di cili është detaji që ka shqetësuar ambasadorin amerikan, sigurisht ato janë amendamente që nuk kanë kaluar në seancë plenare. Mund të paraqiten në komisionin përkatës”, tha Eduard Halimi. Deputeti Halimi sqaroi më tej se hartimi i këtij projektligji, dhe për më tepër është bërë në bashkëpunim mes ekspertëve të qeverisë dhe SHISH-it dhe vetë kreut të këtij institucioni Bahri Shaqiri nuk ka kundërshtuar asnjë prej amendamenteve gjatë diskutimit në komisionin e ligjeve. “Të gjitha amendamentet kane qenë amendamente që janë pranuar tërësisht nga drejtori i SHISH. Kanë qenë amendamente të propozuara dhe prej tij, dhe deri në fund të seancës nuk pati asnjë reagim nga drejtori i SHISH”, u shpreh deputeti demokrat dhe anëtari i komisionit të ligjeve, Eduart Halimi. Vetë kreu i Shërbimeve Sekrete, Bahri Shaqiri, është shprehur se amendimi i ligjit është kërkuar me synim për t’iu përgjigjur kushteve të reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Amendimi vinte si nevojë dhe domosdoshmëri edhe në kuadër të detyrimeve si vend anëtar i NATO-s, procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së dhe rolit që duhet të ketë SHISH në këto procese”, u shpreh Shaqiri, duke shtuar se mendimet në ligj janë plotësisht kushtetuese. Opozita shqiptare dhe individë të afërt me të, kanë nisur prej ditësh një politikë sulmuese ndaj ligjit të ri për SHISH, i cili u miratua në komisionin e ligjeve javën e kaluar, ndëras pritet të diskutohet në komisionin e Sigurisë Kombëtare, përpara se të kalojë në Kuvend për votim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›