Qeveria e Beogradit angazhohet për përmirësimin e jetës për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Ministri serb për Administratën Publike dhe Vetë-Qeverisjen Vendore, komenton vizitën e Metës në Preshevë
Ministri serb për Administratën Publike dhe Vetë-Qeverisjen Vendore, Milan Markoviç garantoi nga Lugina e Preshevës, ku mori pjesë në takimin madhështor të Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta, me shqiptarët atje, se qeveria e Beogradit do kthejë vëmendjen e politikave në drejtim të këtij rajoni, ndër më të diskriminuarit dhe të varfrit në Serbi. Faktorët tronditës historikë dhe politika e myshkur e ballkanizmit, e ktheu Luginën e Preshevës gjatë regjimit të Millosheviçit në arenë luftërash dhe përgjakjesh të përditshme, ku mbetjes e së kaluarës kanë ende, edhe sot pas 11 vitesh “plagët” e atij gjenocidi. Megjithatë, ministri serb Markoviç premtoi para qytetarëve shqiptarë atje, më tepër politika në dobi të komunitetit shqiptar. “Nuk ka dyshim se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë dhe mendoj se gjithçka po bëhet në mënyrë që marrëdhëniet Tiranë - Beograd të jenë më të mira në të ardhmen. Unë mendoj se biseda që Meta ka zhvilluar me Presidentin Tadiç dhe ministrin e Jashtëm Jeremiç, është një garanci e mirë që ditë më të mira do të pasojnë. Ne po punojmë që të avancojë jeta e të gjithë njerëzve, veçanërisht për banorët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, në mënyrë që këta fëmijë të kenë një të ardhme më të ndritur; por jo siç ka ndodhur në të kaluarën. Unë gjithmonë u kam thënë kolegëve të mi të luginës së Preshevës se ne nuk duhet të lejojmë që të rinjtë dhe fëmijët të mbahen peng nga e kaluara. Ne do punojmë për të ardhmen që ata të kenë një jetë më të mirë. Dhe siç biseduam me Metën gjatë 4 orëve rrugë nga Beogradi deri këtu, kemi prekur të gjitha temat që janë me interes dhe kemi renë dakord se do të angazhohemi që gjithçka të bëhet më mirë. Mendoj se kjo vizitë e Metës është një kontribut sidomos për marrëdhëniet më të mira të Shqipërisë dhe Serbisë”, u shpreh ministri serb, Markoviç. Ai ka deklaruar më tej se për të gjithë rajonin është e rëndësishme që marrëdhëniet e Tiranës dhe Beogradit të ngrihen në nivel më të lartë, si dhe ka shprehur kënaqësinë me bisedimet që ka zhvilluar ai me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. “E kaluara në këto hapësira është shumë e vështirë për të gjithë njerëzit, pa patur parasysh në përkatësitë etnike. Qëndrimi ynë është të shikojmë drejt së ardhmes, si dhe nuk duhet të lejojmë që të rinjtë nga Presheva, Medvegja dhe nga Bujanovci, të jenë pengje të së kaluarës së trashëguar”, ka thënë ministri Markoviç. Ai, ka nënvizuar se, “liderët politikë shqiptarë dhe serbë nga Jugu i Serbisë (Lugina e Preshevës), para së gjithash duhet të jenë partnerë të ndërsjellë në krijimin e një jetesë më të mirë për qytetarët që jetojnë në atë rajon”.
...