E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2010 do të mbyllet më pozitivisht se ai i kaluari

Ministria e Financave hedh poshtë akuzat e opozitës për krizë ekonomike


Ministria e Financave ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për krizë ekonomike në vend, referuar pikërisht deklaratave të kryesocialistit Edi Rama. Në një konferencë për shtyp Zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj iu referuar vlerësimi të bërë vetëm pak ditë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që foli për një rritje ekonomike prej 3 për qind gjatë vitit 2009-të. “Kryetari i opozitës, i ndodhur në krizën më të thellë që ka pasur në jetën e tij politike, i vetizoluar nga interesat e shqiptarëve, aspiratat e tyre dhe nga e vërteta e zhvillimeve në ekonominë e vendit përpiqet të sajojë para opinionit publik një krizë virtuale që në të vërtetë ekziston vetëm në mendjen e tij. Vetëm dy ditë më parë FMN deklaroi për opinionin publik se shpifjet e opozitës për krizë ekonomike, janë të pavërteta. Konfirmimi i një rritjeje prej 3 për qind gjatë vitit 2009, në një kohë kur vetë kjo organizatë kishte parashikuar të ishte 0-4 për qind, i bën tërësisht qesharake përpjekjet e opozitës për të shitur krizën e tyre si krizë të shqiptarëve”, u shpreh Rrushaj. Zëvendësministri i Financave, shtoi dhe tregues të tjerë siç janë rritja e ndjeshme e importeve dhe eksporteve, apo edhe rritja e depozitave bankare, duke dalë në përfundimin se 2010-a, do të ketë një performancë edhe më pozitive se viti që lamë pas. “Në përfundim të 2 mujorit të parë qeveria i rikonfirmon opinionit publik se të dhënat e publikuara në këtë periudhë janë në përputhje me parashikimet për një përfundim më pozitiv se vitin e kaluar. Importet janë rritur me rreth 2 miliardë lekë dhe eksportet janë dyfishuar në vlerë dhe në sasi me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nëse gjatë gjithë vitit 2009 niveli i depozitave u rrit me 49 miliardë lekë, vetëm në janar të këtij viti ato janë shtuar me plot 18 miliardë lekë, duke arritur kështu maksimumin e nivelit historik të tyre. Në këto rrethana, kreditimi për ekonominë reale vazhdon të rritet me një nivel prej 13 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, deklaroi më tej zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj. Sqarimi i Ministrisë së Financave vjen pas akuzave të Edi Ramës ndaj Institutit të Statistikave, për pavërtetësi të të dhënave lidhur me situatën ekonomike në Shqipëri. Partia Demokratike i quajti këto akuza si përpjekje për të vrarë një nga asetet më të vyera të vërtetësisë të të dhënave zyrtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›