E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançesteri në krye, në Gjermani fiton Leverkusen

LONDER- Mançester Junajtid është rikthyer në krye të Premier Ligës angleze, pas fitores bindëse në shifrat 3-0 ndaj Fulhamit. Ka qenë sërish Uejn Runi lideri i “Djajve të Kuq”, duke realizuar një dopietë dhe duke shkuar në 25 gola në këtë sezon në Premier Ligë. Goli i tretë për Junajtid u shënua nga Berbatov. Kjo fitore i çon “Djajtë” në kuotën e 66 pikëve, 2 më shumë se çelsi, që ka një ndeshje më pak. Ndërkohë, Mançester Siti ka marrë një pikë në çastet finale ndaj Sandërlend, duke barazuar 1-1. Vendasit shënuan të parët me anë të Xhons në minutën e 9-të, ndërsa Siti i Roberto Mançinit barazoi vetëm në shtesë me anë të Xhonson. Ndërkohë, në Gjermani, Bajer Leverkusen ka shkuar vetëm 3 pikë larg Bajernit të Mynihut, pas fitores së thellë në shifrat 4-2 kundër Hamburgut. Skuadra e “aspirinave” është rikthyer te forma e mirë, duke lënë pas dy zhgënjimet e fundit me Këlnin dhe Nurembergun. Leverkusen është ngjitur në kuotën e 53 pikëve, 3 më pak se Bajerni dhe 1 më pas se Shalke. Në takimin tjetër të luajtur sot, Verder Bremen ka marrë një fitore tepër të rëndësishme ndaj Hofenhaimit, me një gol të Pizarros 10 minuta para përfundimit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›