E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thikë në fyt të dashurit, se kërkonte të ndahej



Një studente 20-vjeçare ka qëlluar me thikë në fyt të dashurin e saj, pasi ky i fundit kërkonte të prishte lidhjen. Duket se një gjë e tillë nuk është pranuar nga Lediana Zekaj, e cila pasi kishte debatuar për disa minuta me Klaudio Kamberajn, ka nxjerrë një thikë nga çanta dhe me të e ka qëlluar të riun. Kamberaj ka rënë në tokë, ndërsa autorja është larguar me vrap për t’iu shmangur arrestimit. Ndaj të plagosurit është dhënë ndihma e parë, duke e transportuar atë në spital, ku pas ndërhyrjes së mjekëve, ai e kaloi rrezikun për jetën. Ndërsa studentja është vetëdorëzuar në polici një orë më vonë. Ajo ka deklaruar para hetuesve se ishte autorja e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45 të ditës së djeshme në ambientet e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”. Lediana Zekaj ishte studente në Fakultetin e Shkencave Teknike, në vitin e dytë të Teknologjisë së Informacionit, në të njëjtën klasë me Klaudio Kamberajn. Sipas burimeve nga policia, pasi kanë mbaruar orën e dytë të mësimit dy studentët që zakonisht qëndronin në një bankë kanë dalë nga salla 101 e godinës C të UV-së duke debatuar.

Ata kanë ecur vetëm pak hapa kur debati me fjalë ka degraduar. 20-vjeçarja e acaruar ka nxjerrë nga çanta një thikë të cilën e mbante me vete dhe ka qëlluar me thikë në fyt Kamberajn. Ai është rrëzuar në tokë, i mbuluar nga gjaku, ndërsa autorja është larguar me vrap nga vendngjarja. Ndaj të riut është dhënë ndihma e parë nga studentët e tjerë, duke e transportuar atë në spitalin e qytetit, ndërsa janë lajmëruar forcat e policisë, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Pas një ore, vetë autorja e kësaj plagosjeje është dorëzuar në polici.

Nga deklaratat e bëra të 20-vjeçares, shkak i ngjarjes ka qenë një lidhje intime mes dy të rinjve, së cilës studenti vlonjat Klaudio Kamberaj ka kërkuar që t’i japë fund.

Por kjo gjë që nuk është pranuar nga Lediana Zekaj dhe ajo, e nervozuar pas debatit të bërë, ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar të riun. Sipas burimeve nga policia, mendohet se Zekaj e kishte paramenduar krimin, pasi në çantë i janë gjetur përveç thikës edhe një kaçavidë. E reja është çuar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Itali, dy klandestinë shqiptarë i shpëtojnë arrestimit nga policia

Dy emigrantë shqiptarë kanë shkuar ilegalisht në Itali dhe kanë arritur që t’i shpëtojnë arrestimit nga ana e policisë italiane. Ata ishin fshehur në një furgon, i cili ishte nisur nga Shqipëria dhe kishte shkuar në portin e Brindizit. Sipas policisë italiane, në furgon ishin të fshehur pesë persona, dy afganë, një iranian dhe dy shqiptarë. Këta të fundit kanë arritur që t’i shpëtojnë arrestimit, duke u larguar. Furgoni i ngarkuar me dru u zbulua ditën e djeshme në Salento të Italisë. Shoferi i tij duket se nuk kishte dijeni për prezencën e klandestinëve në pjesën e pasme të mjetit, sepse ka qenë pikërisht ai, që pasi ka ndaluar për të furnizuar makinën me naftë, ka dëgjuar disa zhurma që vinin nga brenda furgonit dhe ka kontrolluar në të duke gjetur emigrantët. Është lajmëruar policia, e cila ka kryer edhe arrestimin tre klandestinëve të tjerë. Ndërkohë që dy shqiptarët kanë arritur të largohen në kohë në drejtim të paditur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›