E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat e mëdha, taksë 1 mijë lekë për të hyrë në Tiranë



Hyrja me makinë në qytetin e Tiranës do të jetë një “luks” që do të kushtojë. Një taksë prej 1 mijë lekësh të vjetra do të jetë kostoja që duhet të paguajë çdo qytetar që vendos të hyjë në qytet me makina të disa kategorive të caktuara.

Kjo taksë do të miratohet nga Bashkia e Tiranës për disa rrugë të cilat do të kenë të kufizuar lëvizjen e makinave si dhe për të hyrë në qytet. Burime zyrtare pranë bashkisë sqarojnë se kjo taksë është pjesë e strategjisë së këtij institucioni për të ulur nivelin e ndotjes në qytet.

Taksa

Do të përcaktohen disa akse rrugore të kryeqytetit në të cilat lëvizja me makina do të jetë e kufizuar. Shumë shpejt pritet që për makinat hyrja në qytet gjithashtu të ketë një kosto. Kështu, tarifa e taksës së re do të jetë e afishuar në një tabelë në hyrje të qytetit. Burime pranë Bashkisë së Tiranës cilësojnë se është menduar që të jetë prej 1 mijë lekësh të vjetra.

Ndërsa informacionet për automjetet që përfshihen në këtë taksë, do të jenë të afishuara në tabela që do të vendosen në afërsi të sheshit “Rilindja”. Në të do të jenë të vendosura të gjitha automjetet të cilat duhet të paguajnë taksën.

Kjo taksë vendoset për ato makina që kërkojnë të hyjnë në qytet. Ndër automjetet që do të paguajnë këtë taksë, është menduar kryesisht për furgonat 8+1, urbanët ndërqytetës, kamionët si dhe mjetet e tonazhit të lartë.

Ndotja

Tirana vazhdon të cilësohet si qyteti me ndotjen më të lartë në Evropë, duke tejkaluar normat e lejuara nga BE-ja. Nga viti në vit, ndotja ka pësuar rritje. Cilësia e karburanteve, lëvizja e madhe e makinave, si dhe mungesa e zonave të gjelbra janë cilësuar nga specialistët faktorë vendimtarë për të shtuar akoma më shumë nivelin e ndotjes.

Ministria e Mjedisit ka propozuar prej kohësh këtë taksë.

Specialistë të mjedisit kanë shpjeguar herë pas here se ndër ndotësit kryesorë të kryeqytetit janë makinat, të cilat jo vetëm shtojnë ndotjen e mjedisit, por edhe ndotjen akustike.

Sëmundjet respiratore akute vazhdojnë të shfaqen gjatë gjithë vitit, por me tendencë rritjeje. Sipas mjekëve, në sëmundjet respiratore, veç faktorëve mikrobikë, gjenetikë, edhe faktorët ambientalë si ndotja e ajrit, janë predispozues në incidencën dhe prevalencën e tyre.

Nivelet e ndotjes së ajrit në të gjithë vendin tonë janë tepër të rënduara si rezultat i teknologjisë së vjetër e të amortizuar të industrisë nxjerrëse e përpunuese të naftës, si dhe në të njëjtën kohë nga automjetet. Studime të herëpashershme të Institutit të Shëndetit Publik raportojnë për ndotjen e ajrit në qytetin e Tiranës. Rezultatet tregojnë se popullata në kryeqytet i nënshtrohet një mjedisi të ndotur në më shumë se dyfish nga norma.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›