Fikja e dritave, ish-kreu i stadiumit padi pas shkarkimit
TIRANE – Perikli Dhales, ish-drejtori i stadiumit Qemal Stafa, i shkarkuar pas skandalit të fikjes së dritave në ndeshjen mes Realit të Madridit dhe Gramozit, i kërkon dëmshpërblim për largimin nga detyra. Pak ditë më parë ish-drejtori i stadiumit Dhales i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, me një kërkesë padi ku kërkon dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës. Sipas Dhales, garantimi i energjisë elektrike gjatë ndeshjes Real Madrid-Gramozi nuk ishte përgjegjësi e tij, pasi stadiumi ishte marrë me qira nga një palë kontraktuese. Në padinë e depozituar pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit palë paditëse është Perikli Dhales, ndërsa palë e paditur: Shoqëria anonime “Qendra Sportive” Tiranë, përfaqësuar nga Gazmend Sallaku. Në kërkesë padi, ish-drejtori Dhales radhit pesë arsye ku, sipas tij, i janë shkelur të drejta që rrjedhin nga Kodi i Punës, çka e bën shkarkimin e tij të kundërligjshëm. Referuar faktit që ai qëndronte në postin e drejtuesit, si i riemëruar për të dytën herë, Dhales pretendon se pala e paditur ka shkelur nenet mbi: afatin e njoftimit, të drejtën për t’u shprehur për shkeljen e disiplinës, shpërblimin e vjetërsisë së punës, si dhe shkaqe të paarsyeshme e të pajustifikuara për prishje të kontratës. Në përmbajtjen e kërkesës me të cilën i është drejtuar Gjykatës, Dhales sqaron dy format e përdorura për administrimin e stadiumit. Sipas tij, në rastin e ndeshjes Real Madrid-Gramozi, për Kupën “Taçi-Oil” stadiumi ishte dhënë me qira. “Kur ne japim stadiumin me qira nuk mbajmë asnjë lloj përgjegjësie për mbarëvajtjen e aktivitetit, pasi këtë e organizon vetë qiramarrësi dhe ai mban çdo lloj përgjegjësie për mbarëvajtjen e tij”, sqaron Dhales në kërkesë-padinë e dorëzuar në gjykatë. “Prandaj theksoj se masat për sigurimin e energjisë elektrike në stadium, në rastin tonë, i kishin marrë përsipër vetë qiramarrësi i stadiumit dhe OSSH-ja, kurse unë nuk kam asnjë lloj përgjegjësie për furnizimin me energji elektrike”, vijonte ai më tej. Perikli Dhales u shkarkua të nesërmen e incidentit me energjinë elektrike në stadiumin “Qemal Stafa”. Mbrëmjen e 20 janarit të këtij viti, teksa futbollistët e Realit të Madridit po luanin në fushën e blertë kundër Gramozit u ndërpre energjia elektrike për rreth 90 minuta. Ngjarja u shoqërua me jehonë të gjerë mediatike brenda dhe jashtë vendit. Pas ngjarjes Prokuroria e kryeqytetit nisi hetimet pas dyshimeve se ngjarja mund të ishte e qëllimshme. ar.ba