Ligji i lustracionit, Çekia ekspert për riformulimin
Çekia pritet të dërgojë një ekspert për të zgjidhur problemet tekniko-juridike të ligjit
TIRANË- Rikthehet sërish për diskutim ligji i shumëpërfolur i lustracionit. Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Çekisë, Marek Benda, është në krye të delegacionit çek, për një vizitë zyrtare në Tiranë, i cili pritet të zhvillojë takime me krerë të lartë të shtetit dhe përfaqësues politik të të gjitha forcave.
Pas takimit të zhvilluar dje me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, Benda ka theksuar se së shpejti në Tiranë do të mbërrijë një ekspert çek, me qëllim riformulimin e ligjit të lustracionit.
Në një deklarim për mediat, Kryetari i Komisionit të Ligjeve i Çekisë, ka theksuar gjithashtu se ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, duhet të zbatohet vetëm atëherë kur të mos ketë përplasje më Kushtetutën."Është e rëndësishme që të gjithë vendet ish- komuniste të ndahen nga e kaluara.
Kur ne miratuam fillimisht ligjin tonë të lustracionit, pati kontestime të forta nga ndërkombëtaret, sepse ata nuk e kuptonin. Ne do të sjellim një ekspert tonin për të zgjidhur problemet tekniko- juridike që ka ligji. Kur të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, atëherë mund ta vini në zbatim",- tha Benda, teksa është pyetur për ligjin e lustracionit.
Ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Kushtetuesja ka kërkuar edhe mendimin e Komisionit të Venecias dhe vetëm pas kësaj ekspertize, kolegji i Kushtetueses do të mblidhet për të dhënë një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, dje, Kryetari i Komisionit të Ligjeve i Çekisë ka zhvilluar një takim edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Benda, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, konfirmoi se "Çekia është shumë e interesuar që Shqipëria dhe vendet e "Bllokut të Lindjes" të përafrohen me BE-në dhe ne do të mbështesim politikën e zgjerimit me të gjitha mundësitë."