Lista e vëzhguesve, KQZ kërkon ndryshim të Kodit
KQZ-ja ka rënë dakord dje që t'u heqë vëzhguesve të drejtën për të pezulluar procesin e numërimit
TIRANË- Tre muaj pas miratimit në Kuvend, Kodi Zgjedhor mund të bëhet objekt i një ndryshimi të detyruar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hasur dje vështirësinë e parë të implementimit të tij në praktikë, pasi nuk ka mundur që të gjejë një zgjidhje në lidhje me të drejtën e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore pranë KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve.
Kjo pasi ligji zgjedhor ia ka lënë këtë kompetencë pikërisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që ky i fundit e ka konsideruar këtë përcaktim ligjor si të ekzagjeruar dhe rrjedhimisht, për vetë volumin e madh të punës, të pamundur për t'u zbatuar prej tij. Për këtë arsye, KQZ-ja ka diskutuar dje që t'ua japë këtë të drejtë KZAZ-ve, por pa mundur të marrë një vendim, për shkak se kjo do të binte në kundërshtim me Kodin.
"Mundet që ligjvënësi të ketë pasur një mungesë vëmendjeje. KZAZ-ja ka kompetencën për të emëruar komisionerët e qendrave të votimit, të grupeve të numërimit.
Pra, e ka një të drejtë për të emëruar dhe kontrolluar këto struktura, ndërsa kur vjen puna tek vëzhguesit, për të njëjtën detyrë, ia ka hequr këtë të drejtë.
Kjo do të sjellë në KQZ një ngarkesë maksimale dhe kam frikë se për shkak të kësaj ngarkese, procesi nuk do të shkojë normalisht",- tha anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, ndërsa ka propozuar si zgjidhje që kjo e drejtë t'u kalohet KZAZ-ve. Por, sipas përfaqësuesit të LSI-së në këtë institucion, Ilirian Muhos, kalimi i një kompetence të tillë KZAZ-së me anë të një udhëzimi, mund të krijojë një situatë ngërçi gjatë procesit të akreditimit të vëzhguesve, për vetë faktin se këto komisione të nivelit të dytë mund të refuzojnë ta ushtrojnë këtë detyrë, pasi është në kundërshtim me Kodin.
"Edhe një zgjidhje e tillë është e vështirë, pasi edhe pse ju mund t'ua kaloni këtë kompetencë KZAZ-ve, ato mund të mos e zbatojnë, pasi mund të thonë që ne zbatojmë ligjin. Kjo mund të krijojë një situatë të vështirë për vetë forcat politike që duhet të akreditojnë vëzhguesit", - tha Muho.
Ndërsa anëtari socialdemokrat i KQZ-së, Pandeli Varfi, ka kërkuar dhe mirëkuptimin e të gjitha forcave politike për të bërë një zgjidhje konsensuale, ku subjektet zgjedhore t'u dorëzojnë listat e vëzhguesve KZAZ-ve dhe këto t'ia kalojnë për miratim KQZ-së.
Një propozim ky që është mbështetur edhe nga anëtarët e tjerë të KQZ-së, por që nuk është miratuar, për shkak se edhe ai atakon deri diku ligjin zgjedhor. Nisur nga një dilemë e tillë, KQZ-ja ka shtyrë diskutimin e këtij udhëzimi për ditën e sotme, ndërsa përfaqësuesi i PD-së në këtë institucion, Njazi Kosovrasti është shprehur i gatshëm, që po të jetë nevoja, t'i drejtohen Kuvendit për të ndryshuar Kodin.
"Në qoftë se nuk gjejmë një zgjidhje nga ju, të bëjmë propozimin tjetër, që t'u drejtohemi atyre se, nëse mundet, të bëhet një kalim atje në Parlament dhe që kalon menjëherë, pasi nuk është një gjë e vështirë", - tha Kosovrasti.
Ndërkohë, KQZ-ja ka rënë dakord dje që t'u heqë vëzhguesve të drejtën për të pezulluar procesin e numërimit, duke u lënë si mundësi vetëm sinjalizimin e GNV-së, për çdo rast të dyshimit.