E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, KQZ i kërkon Nishanit informacion

Dy herë në muaj, Ministria e Brendshme duhet të dërgojë të dhëna zyrtare pranë KQZ-së, për ecurinë e pajisjes së qytetarëve me karta

TIRANË - Ecuria e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, është kthyer në një shqetësim jo vetëm për forcat e opozitës, por edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Duke marrë shkas nga një informacion shkresor, që Ministria e Brendshme i ka paraqitur KQZ-së, anëtarët e kësaj të fundit e kanë konsideruar atë të paplotë dhe shqetësues, për vetë numrin e atyre shtetasve pa pasaportë, që janë pajisur me karta identiteti deri më tani.

Anëtari socialist i KQZ-së, Artan Lazaj, ka qenë i pakënaqur me të dhënat e paraqitura prej Ministrisë së Brendshme lidhur me këtë proces, ndaj i ka propozuar mbledhjes së këtij institucioni që, në bazë të përcaktimit ligjor që bën Kodi Zgjedhor, t'i kërkojë kësaj ministrie që të vërë në dispozicion, në çdo dy javë, një informacion të detajuar për të gjithë shtetasit pa pasaportë që janë pajisur me letërnjoftime elektronike, si dhe listën e të gjithë shtetasve, që nuk janë pajisur apo mbeten për t'u pajisur. "Informacioni i Ministrisë së Brendshme nuk arrin qëllimin e ligjit dhe është një punë e cunguar.

Është një e drejtë ligjore që, të paktën, një herë në muaj, por unë do të thosha dhe dy herë në muaj, për shkak të rëndësisë së procesit dhe problematikave që na kanë dalë, kërkoj që të na vijë lista e shtetasve që nuk janë të pajisur me karta dhe që s'kanë pasaportë, pra jo vetëm numri, por edhe lista e personave me emra", - tha Lazaj.

Kërkesë kjo që është mirëpritur edhe nga Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka urdhëruar administratën që të bëjë kërkesën konkrete, drejtuar Ministrisë së Brendshme për të raportuar çdo dy javë mbi ecurinë e procesit në mënyrë të detajuar.

Ndërkohë, sipas informacionit të dhënë nga Ministria e Brendshme, deri më datë 1 prill rezulton se kanë aplikuar në total 392 mijë persona, por këta jo të gjithë pa pasaporta. Ndërsa janë prodhuar 302 mijë letërnjoftime dhe janë shpërndarë 181 mijë. Por, sipas Ministrisë së Brendshme, vetëm 66 mijë kanë mundur ta tërheqin atë.

Gjithmonë sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, numri i shtetasve pa pasaportë dhe që duhet të pajisen me kartë identiteti për të votuar, është rreth 740 mijë, shifër kjo që hidhet poshtë nga Partia Socialiste, e cila pretendon se janë rreth 100 mijë shtetas, që nuk janë përfshirë në këtë llogari.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›