E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, forca policie për ruajtjen e votës

Në takimin me ish-punonjës të policisë, Rama mësohet të ketë kërkuar organizimin e tyre, për të evidentuar të gjithë ata elementë të "fortësh" që ushtrojnë presion në zgjedhje


TIRANË- Mungesa e garancisë nga strukturat shtetërore, për të siguruar një proces të rregullt dhe të ndershëm zgjedhor, ka bërë që Partia Socialiste të mendojë seriozisht për zgjidhje të vetat, për të ruajtur votat nga vjedhja.

Një nga mënyrat më efikase, nisur edhe nga përvoja e zgjedhjeve lokale të vitit 2007 në kryeqytet, është ajo e krijimit të një strukture të posaçme lëvizëse, që do të koordinojë burimet njerëzore të kësaj force në evidentimin dhe izolimin e elementëve, që do të mund të tentojnë të manipulojnë procesin elektoral nëpërmjet presionit që mund të bëjnë ndaj votuesve apo edhe komisionerëve në qendrat e votimit.

Në funksion të këtij qëllimi, socialistët duket se edhe këtë vit do të thërrasin në ndihmë të gjithë ata ish-drejtues dhe ish-oficerë policie, që janë shkarkuar apo liruar nga detyra gjatë qeverisjes së demokratëve, për arsye politike. Ky duket se ka qenë dje dhe qëllimi i një takimi që kreu socialist, Edi Rama, ka zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat, me rreth 150 ish-punonjës policie, në hollin e katit të parë të selisë rozë.

Burime pranë këtij takimi kanë bërë të ditur se, fillimisht kanë qenë ish-drejtuesit e policisë ata që kanë shprehur shqetësimet për pushimet dhe lëvizjet e shumta pa kriter që drejtuesit e Ministrisë së Brendshme kanë bërë në forcat e Policisë së Shtetit, ku profesionalizimi dhe gradat nuk janë marrë asnjëherë parasysh.

Nisur nga një situatë e tillë, ata i kanë kërkuar kreut socialist, që të japin garanci se, në rast se PS-ja do të fitojë zgjedhjet, t'i jepet një zgjidhje e duhur problemit të reformës në strukturat e uniformave blu, për të rikuperuar politikat e gabuara të ndjekura gjatë këtyre viteve.

Ka qenë ish-komandanti i forcave RENEA, Artan Didi, ai që duke folur në emër të ish-efektivave të policisë, ka bërë të ditur dhe kërkesat e kësaj kategorie, për një trajtim mbi bazën e meritokracisë dhe gradës.

Nga ana e tij, shefi i selisë rozë ka premtuar se qeverisja e ardhshme socialiste, jo vetëm në fushën e rendit, por edhe në të gjithë sektorët e tjerë, do t'i trajtojë punonjësit në bazë të përgatitjes dhe formimit të tyre profesional dhe jo të preferencave politike.

Ndërkohë, duke u ndalur tek zgjedhjet, mësohet se Rama ka kërkuar kontributin e tyre, me qëllim ruajtjen e votës nga vjedhja, dhe kjo jo duke u përfshirë në veprimtarinë pranë qendrave të votimit, por duke realizuar një studim të plotë të situatës para zgjedhjeve, për të parandaluar manipulimin e procesit nga kundërshtarët nëpërmjet metodave të ndryshme.

Nisur nga përvoja e tyre e gjatë në strukturat e policisë, Rama mësohet t'u ketë kërkuar atyre që të organizohen për të evidentuar të gjithë ata elementë të "fortësh" që, edhe gjatë proceseve të shkuara zgjedhore, janë përpjekur që nëpërmjet presionit mbi zgjedhësit dhe komisionarët, të manipulojnë zgjedhjet dhe të kushtëzojnë rezultatin.

Për këtë qëllim, pranë selisë rozë ka filluar të funksionojë tashmë dhe një strukturë e veçantë, e drejtuar kjo nga ish-Drejtori i Policisë së Tiranës, Pjerin Ndreu, i cili është ngarkuar me detyrën e koordinatorit për çështjet e rendit në këtë parti.
Fejzi Braushi

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›