E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferët mbeten pa patentat e reja, dështon tenderi për prodhimin në sasinë e duhur



Ervin KOÇI

Shoferët shqiptarë nuk kanë mundësi të pajisen të gjithë me patentat e reja të drejtimit të automjeteve, të cilat janë të pajisura me standarde sipas kërkesave të BE-së. Kjo ka ardhur si pasojë e dështimit të tenderit të radhës për prodhimin e këtyre dokumenteve për drejtimin e automjete, pasi Ministria e Transporteve nuk ka akorduar fondin e duhur për këtë qëllim. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, kanë bërë të ditur për gazetën “Albania” se, “deri tani janë në gjendje vetëm 40 mijë patenta të reja, nga rreth 100 mijë që duhet të ishin prodhuar në bazë të kërkesave të bëra edhe nga degët në qarqe”. Sipas të njëjtave burime, tenderi është bllokuar pikërisht në një kohë kur marrja e lejes së re të drejtimit të automjetit është kthyer në domosdoshmëri sidomos për ata që qarkullojnë me mjetet e tyre jashtë vendit, por edhe për emigrantët. Kërkesa nga këta të fundit ka ardhur në rritje sidomos gjatë këtij muaji, por mesa duket ngutja për të marrë dokumentin e ri është e kotë pasi DPSHTR-ja nuk e ka në gjendje sasinë e duhur. Por ajo që është edhe më absurde është fakti se, edhe patentat e konsideruara si të reja (me elementët e rinj) nuk janë plotësisht të “sakta” dhe do t’u shtohen akoma më shumë elemente sigurie, kjo për t’i mbrojtur edhe nga falsifikimet.

Dokumenti i ri

Leja e re e drejtimit të automjeteve përmban të gjitha elementët e sigurisë sipas normave të Bashkimit Europian, çka e bën këtë dokument të besueshëm. Në elementët e sigurisë së patentës së re janë të shënuara, ngjyra e syve, grupi i gjakut si dhe shumë elemente të tjerë, të cilët janë të njëjta me standardet e kërkuara nga Komuniteti Evropian. Gjithashtu ky dokument përmban edhe dy nga elementët e lartë të sigurisë, siç janë shenjat e gishtërinjve dhe shiritin magnetik, që e bëjnë këtë patentë të vlefshme edhe në shtetet e tjera. Pajisja me këtë patentë kushton 5 mijë lekë për të gjithë ata qytetarë që pajisen për herë të parë, ndërsa i gjithë kursi për mësimin e drejtimit të automjetit tashmë kushton 45 mijë lekë.

Rregullat e reja

Sipas ndryshimeve të reja të Kodit Rrugor, kursi i teorisë dhe kursi i praktikës, ndryshe nga e kaluara, nuk kryhen më bashkë. Ai është i konceptuar në dy faza që zgjasin 2 muaj dhe kursanti pa marrë provimin e teorisë, nuk mund të kalojë në kursin e praktikës. Personit të interesuar për t'u regjistruar në kursin e teorisë i nevojiten 8 dokumente. Nëse kursanti nuk e merr provimin e teorisë, ai ka të drejtë që mbas 15 ditëve të rifutet në provim. Provimin e teorisë mund ta japësh deri në 5 herë brenda një viti. Vetëm pas marrjes së provimit të teorisë mund të kalohet në kursin e praktikës. Ndërkohë për të marr pjesë në këtë kurs nevojiten 5 dokumente. Gjithashtu mundësia për të dhënë këtë provim është 5 herë brenda një viti. Komisioni i marrjes në provë për njohuritë teorike dhe aftësitë drejtuese është i përbërë nga 2 anëtarë. Drejtuesi teknik i auto-shkollës mund të marr pjesë në provim, por pa të drejtë vote. Kursi i teorisë kushton 15 mijë lekë. Kursi i dhënies së automjetit përbëhet nga 20 seanca dhe do të kushtojë rreth 20 mijë lekë. Ndërkohë kostoja e kartonit është 10 mijë lekë. Nëse kursanti kërkon më shumë orë seance, atëherë kursi do të kushtojë më shumë.

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›