Ligji i mbrojtjes për krimet dhe korrupsionet qeveritare
Hajro Limaj
Heqja e imunitetit është tejet e rëndësishme, ndaj mund të them se është shtylla kryesore kundër korrupsionit u shpreh në mbledhjen ndërministrore të integrimit të datës 21 Mars, drejtori i përgjithshëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Pierre Mirel, mbledhje në të cilën ndodhej edhe kryeministri Berisha. Por nuk është hera e parë që përfaqësuesit evropianë apo amerikanë e kanë ngritur ketë shqetësim.
Para një viti ambasadori i SHBA-së, Zoti Arvizu, deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që imuniteti pengon hetimet për zyrtarët e lartë, duke cenuar dhe fshehtësinë e hetimit. Është koha që kodi i procedurës penale të rishikohet që të përafrohet me sfidat që ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe shqetësimet e popullit. Rishikimi i tij të jetë tërësor dhe të prekë afatet kohore të hetimit, pasi afatet janë tepër të shkurtra, veçanërisht për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kodi i ri i procedurës penale duhet të trajtojë njësoj të gjitha hetimet.
Retorika e politikanëve shqiptarë ishte e menjëhershme, ashtu siç u bë edhe këto ditë kur foli përfaqësuesi zgjerimit evropian. Premtuan se do të vepronin seriozisht për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe të qeveritarëve. Por rezultati sot është i njëjtë. Vetëm retorikë 2 ditore nga kryeministri dhe politikanët e të gjitha krahëve. Kjo tregon se peshku është qelbur aq shumë nga koka saqë nuk ka doktor ta mjekojë dhe shërojë më atë. Politikanët me në krye qeverinë e sotme e ruajnë të shenjtë imunitetin e pa drejtë që i kanë dhënë vetes,mbasi nëpërmjet tij ata kanë mbuluar dhe vazhdojnë të mbulojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, skandale të cilat janë bërë prezent publikut jo pak herë.
Fakti është se bllokmenët e rinj të politikës shqiptare i kanë krijuar vetes privilegje ligjore, ekonomike dhe financiare shumë më tepër se sa ato të ish bllokmenëve të sistemit të kaluar. Asnjë bllokmen i sistemit të kaluar nuk ka pasur kaq shumë përfitime dhe privilegje politike dhe pasurore se sa qeveritarët e sotëm. Asnjë prej bllokmenëve të kaluar nuk kishte pasuri në vila, shtëpi dhe makina personale. Ato ishin pasuri shtetërore dhe shtëpitë i kishin në përdorim me qira. Ky është ndryshimi i madh midis ish dhe janë bllokmenëve të vendit tonë.
Dhe ky pasurim i jashtëzakonshëm i qeveritarëve dhe politikanëve shqiptarë është realizuar vetëm nëpërmjet korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik, mbasi me rrogat që ata marrin nga detyrat e larta shtetërore nuk mund të ndërtojnë kurrë supervila e të blejnë për vete dhe fëmijët e tyre makinat më luksoze.
Ky realitet i hidhur e detyroi drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme në Bashkimin Evropian, Pierre Mirel, që në përfundimet e takimeve të datës 20 Mars në Tiranë, në kuadrin e bisedimeve dhe monitorimit të zhvillimeve të vendit tonë për mundësinë e dhënies së statusit të kandidatit për në BE, të kërkonte heqjen sa më parë të imunitetit të politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë, si një e keqe e madhe nga i cili për 20 vjet vetëm ka pjellë vetëm korrupsion, krim të organizuar dhe mungesë sigurie,vetëm e vetëm për pasurimin e qeveritarëve dhe klaneve që ato mbështesin.