Auditi i Brendshëm, mjet i rëndësishëm për transparencën
Komitetit Ndërministror për Integrimin
Kryeministri Sali Berisha tha dje se qeveria do të bëjë më të mirën për të fuqizuar e konsoliduar më tej Auditin e Brendshëm, si një mjet shumë i rëndësishëm për eficencën dhe transparencën, e cila mbetet për t’u konsoliduar. Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua dje mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin, në të cilën ishte i pranishëm edhe Robert Gielisse, Drejtor i Njësisë për Ballkanin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Komisionin Evropian, i cili bëri një prezantim rreth “Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit Financiar Publik”. Duke vlerësuar se Auditi i Brendshëm është një partner shumë i rëndësishëm për një institucion, ai u shpreh se Kontrolli i Brendshëm Financiar Publik ka tri qasje kryesore: e para ka të bëjë me përgjegjshmërinë menaxheriale, e dyta ka të bëjë me Auditin e Brendshëm, e treta ka të bëjë me njësinë qendrore të harmonizimit. Kryeministri Berisha e falënderoi Robert Gielisse për ekspozenë unike dhe për faktin që u prek një nga çështjet më të rëndësishme të administratës. Berisha theksoi se qeveria do të bëjë më të mirën për të fuqizuar e konsoliduar më tej Auditin e Brendshëm, si një mjet shumë i rëndësishëm për eficencën dhe transparencën, e cila mbetet për t’u konsoliduar. “Ne jemi optimistë se duke punuar së bashku me ju, duke pasur ndihmën tuaj, do të konsolidojmë këtë mjet kyç të administratës”, u shpreh kryeministri. Gjithashtu edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se implementimi i procesit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në administratën shqiptare është në progres, janë miratuar të gjitha hallkat dhe janë ngritur strukturat. Ministri Bode shtoi se Auditi i Brendshëm në vendin tonë është audit me status të nëpunësit civil. Drejtor i Njësisë për Ballkanin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Komisionin Evropian, Gielisse, ka qenë i përfshirë dhe ka asistuar në reformën ligjore dhe institucionale financiare.
...