E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha të thirret në Prokurori

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të kërkojë heqjen e imunitetit për Lulzim Bashën dhe të thërrasë Kryeministrin Berisha për shembjen e tunelit të Thirrës. “Partia Socialiste i kërkon publikisht Prokurorisë të hetojë ngjarjen e ndodhur në tunelin e Kalimashit dhe ta rishohë dosjen e famshme të Ministrit të Punëve të Brendshme të familjes në pushtet, duke i shtuar abuzimeve të deritanishme, edhe abuzimin e ri që solli shembjen e tunelit. Të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të këtij personi të zhytur kokë e këmbë në korrupsion, si edhe të thërrasë Sali Berishën për të dhënë shpjegimet e tij, së bashku me Ministrin aktual të Punëve Publike, që vazhdoi në gjurmët e paraardhësit, atij të punëve të brendshme të Familjes në pushtet”, u shpreh Rama gjatë një konference shtypi për mediat në selinë e PS. Tuneli Tirrë-Kalimash ishte dje në qendër të deklaratës për shtyp të kryetarit socialist, Edi Rama, ku akuzoi Kryeministrin Berisha si dhe ish- ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, por dhe ministrin aktual Sokol Olldashi. Sipas tij, “qeveria heshti, Ministria e Punës Publike heshti, ashtu sikurse heshti edhe Kryeministri, njeriu që duhet të thirret i pari në Prokurori për nxitimin e papërgjegjshëm të punimeve. Kreu socialist e cilësoi anormale mosinformimin në kohë të shembjes së tunelit nga ana e Ministrisë së Transportit. “Sali Berisha të mos bllokojë informacionin që ka detyrimin kushtetues e ligjor t’i japë publikut lidhur me këtë zhvillim dramatik në tunelin e Kalimashit, të mos ndalojë mediat të bëjnë punën e tyre të ligjshme dhe të kryejnë detyrimin e tyre karshi qytetarëve”, tha Rama.
Bojkoti
Duke radhitur të gjitha problematikat që sipas Edi Ramës vijnë nga deformimi i votës së 28 qershorit, kryetari socialist ritheksoi dje se bojkoti i socialistëve ndaj Parlamentit do të vazhdojë deri në bërjen e transparencës së kutive të votimit.
“Sot opozitës i duhet të rrijë jashtë Kuvendit dhe popullit opozitar, i duhet të protestojë në rrugë, për të fituar një të drejtë ligjore e demokratike fare elementare, hapjen e kutive dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit”, u shpreh Rama, duke përforcuar qëndrimin e tij në vazhdimin e protestave popullore për votën e lirë. “Më 20 nëntor, në Tiranë, ne do të mblidhemi edhe për të gjitha këto arsye, dhe për të gjitha ato arsye të tjera, që do të dalin në pah ditë pas dite, sepse ditë pas dite infeksioni i krijuar në 4 vitet e qeverisjes së Sali Berishës do të shkojë duke u shfaqur në sipërfaqen e vendit dhe të punëve të vendit”, u shpreh kryetari socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›