Nishani: Opozita po bllokon integrimin dhe ligjet me 3/5 e votave
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar të Ligjeve në lidhje me progres-raportin e KE-së për vitin 2009, ka deklaruar se “mungesa e opozitës sjell mosmiratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar votash”. Sipas tij, janë dy projektligje të rëndësishme. “Ligji për “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, me nr. 9877 parashikon nxjerrjen e ligjeve të veçanta për krijimin e gjykatës administrative dhe për administratën gjyqësore. Të dyja këto nisma janë ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë, janë miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe gjenden të depozituara në Kuvend, votimi i të cilit kërkon tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, tha ministri Nishani. Ai bëri të ditur se, “mungesa e opozitës në Parlament dhe angazhimet e saj në proceset apo edhe të atyre që tashmë janë hartuar dhe depozituar për miratim në Kuvend përbën një ngërç të madh. Ky synim politik ka arritur të bllokojë disa nga këto ligje të rëndësishme”. Ndërsa pyetjes së Rusmalit se nëse ka ndonjë indicie për dhënien fund të bojkotit nga PS-ja, Nishani u shpreh se, “nuk kam asnjë sinjal që opozita t’i bashkëngjitet këtij procesi dhe kjo nuk pengon thjesht një kalendar punimesh, por pengon proceset integruese në përgjithësi dhe fut në kolaps funksionimin e shoqërisë dhe të institucioneve të rëndësishme të kësaj shoqërie”, u shpreh Nishani. Ministri deklaroi se po punohet për hartimin e një ligji të ri “Për funksionimin e KLD-së” dhe ai “Për konferencën gjyqësore”. Objektiv tjetër i ministrisë, sipas Nishanit, është edhe hartimi i ligjit “Për Gjykatën e Lartë”.