E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Jo bojkotit, palët të gjejnë zgjidhje për krizën

 

Ambasadorët e vendeve të BE-së kërkojnë zgjidhjen e konfliktit politik në Shqipëri. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ambasadorët e vendeve të BE-së kanë deklaruar se kriza politike në Shqipëri nuk është një ogur i mirë për integrimin e vendit në BE. Ambasadoret shprehen njëzëri se, “Shqipëria duhet të kryejë  më parë reformat për t’u anëtarësuar në BE dhe për këtë duhen votat e maxhorancës dhe opozitës në Parlament”. “Bojkoti nuk është gjë e mirë dhe opozita duhet të gjejë sa më parë rrugën e dialogut politik në Parlament. Kriza politike në Shqipëri nuk shihet me sy të mirë dhe mund të ndikojë në rrugën e vendit tuaj për integrimin në BE. Shqipërisë i nevojiten reforma të menjëhershme, sidomos reforma në drejtësi për t’u anëtarësuar në BE dhe për këtë në Parlament nevojiten si votat e maxhorancës, ashtu dhe të opozitës”, deklaroi Marketa Filjakova, ambasadore e Çekisë në Tiranë. Ndërkombëtarët thonë se palët duhet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pa i drejtuar askujt gishtin e akuzës, në një kohë që maxhoranca dhe opozita përplasen në lidhje me çështjen e hapjes së kutive të votimit. Ndryshe nga herët e tjera, ndërkombëtarët, të paktën publikisht shprehen se nuk do të ndërmarrin rolin e ndërmjetësit për të ulur në një tryezë të përbashkët palët, PD-PS. Kjo për shkak se në gjykimin e tyre, tashmë ka ardhur koha që klasa politike në vend të gjejë vetë zgjidhjen, sidomos atëherë kur bëhet fjalë për të ardhmen e një populli. “Në vlerësimin tonë për zgjidhjen e krizës politike duhet të angazhohen të dyja palët. Në fakt në këtë pikë ka shumë kërkesa të opozitës dhe duhet thënë se askush nuk mund t’i ketë të gjitha. Gjithsesi vendi juaj është sovran dhe unë nuk e shikoj të nevojshme ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në këtë pikë”, tha Bernd Boschard, ambasadori gjerman në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›