Ligji i ri, Berisha u vë fitilin pronave të bregdetit jugor
Qeveria po përgatit ligjin për kompensim nëpërmjet tokave bregdetare. Qeveria nuk ndërmori asnjë hap konsultues për këtë ligj të rëndësishëm
Habjon Hasani
Në kulmin e amullisë me pronat në bregdet, në kulmin e abuzimeve dhe ndjekjeve penale nga Prokuroria me këto prona, kryeministri i vendit e ka çuar “tetrisin” edhe një nivel më lart, duke i përgatitur këto prona edhe për kompensimin e ish-pronarëve. Vetëm në qytetin e Vlorës janë qindra hektarë tokë objekt i hetimit të Prokurorisë, ndërsa skandali i Plazhit të Gjeneralit implikoi ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, pak javë më parë, por sikur të mos mjaftonin këto indicie, tashmë pronat e bregdetit do të jenë objekt edhe i trajtimit për kompensimin e ish-pronarëve.
Dje kryeministria njoftoi se një grup “Ad-hoc” ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë. Kryeministri Berisha trajtoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Kryeministri informoi se një grup Ad-hoc ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë, që do të konkretizohet së shpejti në një paketë të re aktesh nënligjore. “Opinionet në këtë moment mund të jenë të ndryshme, por unë gjykoj se ky është një detyrim absolut i yni dhe pa këtë sipërmarrje, pa vënien në dispozicion të disa mijëra hektarëve tokë në troje turistike për ish-pronarët, ky proces nuk do të mund të marrë zgjidhje. Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t’u ofrojë pronarëve troje turistike”, - tha dje kryeministri.
Berisha
Duke theksuar se këto troje do të mund të përdoren në përputhje me parimet dhe platformën e zhvillimit të turizmit, kryeministri Berisha tha se në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve janë identifikuar mijëra hektarë dhe territoret për këtë qëllim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës dhe Pogradecit. Sikundër, u shpreh kryeministri, duhet të bëhet një shqyrtim edhe për zonën jashtë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës. “Studimi ka avancuar shumë dhe po shkon drejt finalizimit. Është e domosdoshme që javën e ardhshme të vijnë në qeveri aktet nënligjore të procedurës së këtij procesi. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të kompensuar pronarët, sepse ky është një detyrim që rrjedh nga thelbi i këtij sistemi”, - u shpreh më tej kryeministri, duke theksuar se “nëse nuk i qëndrohet plotësisht kthimit dhe kompensimit të pronës, siç ka përcaktuar Kushtetuta e vendit, por siç e ka në themel edhe Kushtetuta e këtij sistemi, prona nuk do të gjejë ndonjëherë stabilitet në këtë vend”.
Sipërfaqet
Kryeministri tha se sipërfaqet e identifikuara janë verifikuar me të gjithë dokumentacionin e duhur si troje publike, çka lejon më tej përcaktimin e procedurës së transferimit e shpërndarjes së tyre. “Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, - u shpreh kryeministri, - është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive, sepse çdo vit çmimi i trojeve rritet. Ai ka arritur në 2 mijë euro në qendër të Tiranës dhe ju siguroj se në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish-pronarëve, që ato të rikthehen ku është e mundur, të kompensohen. Pa faktorin kompensim, ky proces nuk mund të kompletohet në asnjë mënyrë, sepse zëniet e sipërfaqeve janë shumë të mëdha dhe janë jashtëzakonisht të kushtueshme. Harta e çmimeve është përfunduar dhe mbi bazën e atyre çmimeve do të mund të përdoret një sipërfaqe e madhe, që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike. Mbetet për të përcaktuar procedurën e transferimit dhe mënyrën si do të shpërndahet kjo sipërfaqe”, - u shpreh dje kryeministri.
Pjesë e skemës së kompensimit, edhe Dajti
Kryeministri Berisha ka njoftuar dje se pjesë e terreneve që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve do të jenë dhe hapësirat dhe trojet në malin e Dajtit. Jo më larg se dy ditë më parë “Albania” ka njoftuar se prej fillimit të janarit, departamenti i Task-Forcës ka nisur procedimin hetimor mbi një dosje voluminoze të abuzimit të pronave në Dajt, dosje që ka ardhur në fund të muajit dhjetor si një denoncim i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur madje edhe paralizimin e çdo vendimi apo procedure administrative mbi këto troje, ndërsa një veprim i tillë duket paksa ”radikal” në kushtet kur është Prokuroria ajo që ndërmerr masa të tilla. Megjithatë, duket se shkeljet e kapura nga ekspertët e KLSH-së kanë qenë aq flagrante, sa kjo e fundit është detyruar të ndërmarrë një masë që i tejkalon disi kompetencat e saj. Të njëjtin mendim kanë dhe prokurorët e çështjes, të cilët nga verifikimi dhe hetimi paraprak i javëve të fundit kanë zbuluar se kjo dosje e KLSH-së fsheh një histori të rëndë abuzimi dhe falsifikimi për qindra hektarë tokë në një komunë si ajo e Dajtit, ku dhe çmimet e trojeve janë rritur ndjeshëm kohët e fundit. Nën hetim janë disa drejtues të kësaj komune dhe regjistrues vendorë, ndërsa burime nga organi i akuzës refuzuan të jepnin detaje të tjera lidhur me personat e implikuar. Vetëm pak muaj më parë, KLSH-ja, gjatë fazës së parë të inspektimit të saj në komunën Dajt, zbuloi abuzimin me pronat, të cilin e pasqyroi në raportin e saj, duke paralajmëruar investigimin e mëtejshëm të dosjeve në këtë komunë. Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri të ditur në këtë raport se vetëm në komunën Dajt ka një sasi toke prej 105 hektarësh, që është marrë në pronësi me anë të dokumenteve të falsifikuara. Kështu, raporti i publikuar nga KLSH-ja sqaron se një sipërfaqe prej 323 490 metrash katrorë tokë e klasifikuar si “pyll”, në zonën kadastrale Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe dhe Babrru, është marrë në pronësi me anë të dokumenteve të falsifikuara. Një vendim i tillë është dhënë pas kthimit në mënyrë të padrejtë, sipas KLSH-së, nga ana e Komisionit të Kthimit të Pronave në Tiranë. Në komunën Dajt vlerësohet se janë 672 240 metra katrorë tokë që janë kthyer sërish pa asnjë dokument për ish-pronarët. Ndërsa në komunën Linzë, në Spitalin Ushtarak, janë marrë disa vendime për kthim pronash për disa ish-pronarë, duke krijuar mbivendosje të pronave në një sipërfaqe prej 9 100 metrash katrorë.
Gjiri i Gjeneralit, precedenti ku shteti grabiti trojet publike
Zyrtarët e Hipotekës së Tiranës dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Kavajës po hetohen për shkak se pas kthimit të pronës te personat që me falsifikime kanë aplikuar në emër të familjes Shijaku, e kanë regjistruar tokën në emër të tyre, duke u bazuar mbi një procedurë dukshëm të paligjshme. Në fund të të gjitha procedurave të falsifikuara me Agjencinë e Kthimit të Pronave, pronarët fiktivë të tokës janë paraqitur në Hipotekë dhe zyrtarët e kësaj të fundit, si në Tiranë, ashtu edhe në Kavajë, kanë vendosur regjistrimin e pronës. Ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ka pasur kontakt intensiv telefonik me palët e interesuara në procesin e falsifikimit, ndërsa shpeshherë ai ka kërkuar gjatë bisedave dhe “garanci nga rangjet e larta për të vazhduar punën i qetë”. Gjithsesi, prokurorët janë të rezervuar në dhënien e detajeve të tjera lidhur me përmbajtjen e këtyre përgjimeve, megjithatë konfirmojnë se janë pikërisht këto përgjime që “i vënë vulën” implikimit të qëllimshëm të Vatnikajt në skemën e falsifikimit spektakolar që u krye me 48 hektarët në zonën e Gjirit të Gjeneralit. Përpos dokumenteve antiligjore të firmosura prej tij, prokurorët kanë mundur të sigurojnë dhe përgjime ligjërisht të pranueshme, të cilat e lidhin Vatnikajn thuajse me të gjithë personazhet e tjerë të përzier në skemën e grabitjes. Abuzimet me pronat janë bërë objekt i punës hetimore të Prokurorisë me një fluks të theksuar në dy vitet e fundit. Madje, së fundi, ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, po hetohet për konspiracion dhe mbështetje në vjedhjen e 48 hektarëve, pronë shtetërore, në Gjirin e Gjeneralit, në Kavajë. Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën; ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim pasi kanë mashtruar me procedurat. Ata kanë hartuar plan-vendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të Prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Sipas hetimeve të kryera, janë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me dosjen e aplikimit për kthimin e pronës.
26 Shkurt 2009