E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Pronat dhe “dosjet”, problemet tuaja më kryesore



Departamenti Amerikan i Shtetit sapo nxori sot raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2008. Në kapitullin për Shqipërinë, në raport ngrihen një numër shqetësimesh që kanë të bëjnë me qëndrimin e autoriteteve ndaj pronës private, respektimit të së drejtës së të pandehurve për procese të drejta gjyqësore, kushtet e burgimit etj. Në komentet lidhur me të drejtën për një proces gjyqësor të hapur dhe të drejtë, Departamenti i Shtetit jep komentet e tij mbi ligjin e pastërtisë së figurave. Raporti thekson se ky ligj është formuluar me terma të mjegullta, që i japin qeverisë hapësirë tepër të gjerë për të përcaktuar vetë se çfarë nënkuptohet nga aktiviteti politik i ish-zyrtarëve të sistemit komunist, duke i dhënë dorë të lirë të vendosë se kush do të shkarkohet nga detyra. Raporti nënvizon edhe konfliktin e lindur ndërmjet Ekzekutivit dhe Gjyqësorit nga ky ligj, pasi pritet që ligji të prekë një numër anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese. Raporti i Departamentit të Shtetit thekson më tej se prona private vazhdon të jetë një problem i konsiderueshëm në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje, në analizën vjetore të Departamentit ngrihet problemi i hendekut mes kompetencave të kufizuara të Avokatit të Popullit për të vepruar dhe ankesave që vijnë pranë tij lidhur me çështjen e pronave. Në kapitullin për Shqipërinë, Departamenti i Shtetit ngre gjithashtu shqetësimin lidhur me kushtet në burgje, të cilat ende nuk përmbushin standardet ndërkombëtare. Po ashtu, në raport përmendet edhe rasti i 7 të ndaluarve në një rajon policie, që ishin mbajtur mbi 15 ditë, pra për një kohë shumë më të gjatë se periudha prej 48 orësh që lejohet për ndalim para gjykimit.

26 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›