E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, java e kontrasteve



Gramozi-Besa hap “serinë” e 6-të të Kategorisë Superiore 2009-2010”, një javë që kryendeshjen nuk e ka midis ekipeve kryesuese, por me dy skuadrat që mbyllin tabelën e renditjes: Flamurtari-Vllaznia. Statistikat ofrojnë numra kureshtarë.

GRAMOZI-BESA
Përballja me Besën ka një kuptim të dyfishtë për Gramozin. Së pari, përkon me debutimin e trajnerit të ri, Agim Canaj, dhe së dyti, Besa, së bashku me Dinamon, nuk ka pësuar humbje në pesë javët e para. Aromë e veçantë për Agim Canaj. Para disa sezonesh
ka qenë trajner i Besës, ashtu si më parë edhe i Dinamos, Vllaznisë, Flamurtarit, Shkumbinit. Gramozi pas dy barazimeve e dy humbjeve në katër javët e para, në të pestën fitoi me Flamurtari 2-0. Gramozi në shtëpi i ka njohur të tre rezultatet: 1 fitore, 1 barazim, 1 humbje. Besa në pesë javë ka fituar 4 ndeshje dhe ka barazuar një. Kavajasit kanë mbrojtjen më të mirë në kampionat: vetëm 1 gol të pësuar në 5 ndeshje.

TIRANA-KASTRIOTI
Në sezonin 2006-2007, Tirana fitoi një nga tre ndeshjet kundër Kastriotit me rezultatin “bombastik” 7-3. Tani asnjë nga “historianët” e dy klubeve nuk beson se do të përsërititet më. Gjithsesi, java e 6-të ofron një përballje midis dy ekipeve që nuk e kanë nisur aspak mirë sezonin. Tirana ka grumbulluar 46 për qind të pikëve (7 nga 15 të mundshmet, golaverazhi 3-5) , Kastrioti ka “arkëtuar” 20 për qind të pikëve. Tirana i ka provuar të tria rezultatet e mundshme, ku ka vendosur një ekuilibër midis fitoreve, 2 dhe humbjeve, po 2. Kastrioti i ka humbur të dyja ndeshjet jashtë shtëpisë. Tirana vjen pas humbjes 2-0 me Apoloninë në Fier, Kastrioti pas barazimit 0-0 me Laçin në shtëpi.

LAÇI-DINAMO
Laçi në shtëpi nuk e njeh humbjen, kurse Dinamo nuk e ka shijuar atë as në Tiranë dhe as në transfertë. Laçjanët nuk janë një ekip i lehtë për tu mundur përballë publikut të zjarrtë. Kur Apolonia humbi 3-2 me Laçin, trajneri serb i fierakëve tha se nuk u luajt aspak futboll në pjesën e dytë. “Nëndetësja” blu është e pajisur me silurë, të paktën Elis Bakaj është golashënuesi më i mirë i kampionatit për momentin: 4 gola në pesë javë, plus 4 asistë. Por, dhe Laçi ka sulmin e tretë më të mirë në kampionat: 7 gola, dy më pak se Dinamo e vendit të parë dhe 1 më shumë se Besa e vendit të dytë.

SHKUMBINI-TEUTA
Kjo ndeshje konsiderohej nga të gjithë si “Mile kundër Miles”, ose më saktë, një sfidë midis babait Kristaq Mile, trajneri i Shkumbinit, dhe djalit të tij, Vangjel Mile, kapitenit të Teutës. FSHF-ja e nxorri jashtë loje këtë derb: Kristaq Mile për shkak të protestave ndaj gjyqtarëve në ndeshjen e humbur 2-1 të Shkumbinit u pezullua dy javë nga Komisioni i Disiplinës, plus një gjobe prej 30 mijë lekësh. Teuta nga ana e saj vjen pas fitores 1-0 me Vllazninë, por dhe me “bonusin” e shkarkimit të ish-trajnerit të kuqebluve, Hasan Lika. Sa për statistikë, Shkumbini drejtohet nga trajneri i dytë sezonal.

SKËNDERBEU-APOLONIA
Skuadra korçare nuk ka lënë asnjë pikë në shtëpi: 3 ndeshje, 3 fitore, 9 gola të shënuar. Apolonia nga ana e saj nuk ka mundur të fitojë asnjë pikë në dy ndeshjet e para në transfertë. Gerti Haxhiu i lidh me një fije të dyja skuadrat: vlonjate më parë ka qenë trajneri i Apolonisë, ndërkohë që aktualisht drejton Skënderbeun.

FLAMURTARI-VLLAZNIA
Është supersfida e javës. Që vendos shumë. Trajneri i Flamurtari, Gugash Magani ka premierën e tij para tifozëve vlonjate, ai i Vllaznisë, Roland Luçi, bën debutimin absolut në Kategorinë Superiore dhe si trajner i një skuadre shqiptare, pasi punon e jeton në Austri. Dy skuadrat më së shumti i bashkon shifra “zero”. Flamurtari nuk ka fituar asnjë nga dy ndeshjet e luajtura në shtëpi, për më tepër të humbura me të njëjtin rezultat: 0-3, si nga Dinamo ashtu dhe nga Teuta. Vllaznia, nga ana e saj nuk ka mundur të marrë asnjë pikë në transfertë, por nuk ka mundur të shënojë qoftë dhe një gol të vetëm. Flamurtari ka mbrojtjen më të dobët në këto pesë javë: 10 gola të pësuar, Vllaznia, sulmin më të dobët, vetëm 1 gol të shënuar.

Dos Santos do kokën e Besës

Sulmuesi i Gramozit, braziliani Marko Dos Santos (28 vjeç, 5 ndeshje këtë sezon), golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë gjatë edicionit të kaluar të këtij atij kompeticioni, nuk e ka gjetur dot rrugën e rrjetës, edhe pse asistet e tij u kanë shërbyer shokëve të skuadrës. Dos Santos, një nga tre brazilianët Gramozit, premton se në ndeshjen kundër Besës të shënojë golin e tij të parë në Kategorinë Superiore. Gramozi fitoi në javën e 5-të 2-0 me Flamurtarin, dhe dy golat e realizuar nga Valdet Hyseni e Armando Sadiku erdhën si pasojë e asisteve të futbollistit të njohur brazilian. Përballja me Besën ka një kuptim të dyfishtë për Gramozin. Së pari, përkon me debutimin e trajnerit të ri, Agim Canaj, dhe së dyti, Besa, së bashku me Dinamon, nuk ka pësuar humbje në pesë javët e para.

KATEGORIA SUPERIORE
Java 6-të, ora 15:30

02.10.2009
Gramozi-Besa

03.10.2009
Skënderbeu-Apolonia
Tirana-Kastrioti
Laci-Dinamo
Shkumbini-Teuta

04.10.2009
Flamurtari-Vllaznia

RENDITJA, JAVA 5
1.Dinamo 5 13
2.Besa 5 13
3.Skenderbeu 5 9
4.Apolonia 5 9
5.Teuta 5 9
6.Tirana 5 7
7.Gramozi 5 5
8.Laci 5 5
9.Kastrioti 5 4
10.Shkumbini 5 4
11.Vllaznia 5 4
12.Flamurtari 5 3

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›