E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi, marrëveshje 12 milionë euro me gjermanët

Dy marrëveshje me vlerë 12.5 milionë euro janë nënshkruar dje nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, me Ambasadoren gjermane, Karola Myller-Holtkemper, për sektorin ujor. Marrëveshjet janë “Programi për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Ohrit, faza e III” dhe marrëveshja për projektin “Masterpalni në sektorin Ujor”. Marrëveshja e parë “Programi për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Ohrit”, faza e tretë ka një vlerë prej 10 milionë euro dhe është një financim i qeverisë gjermane nëpërmjet KFË. Marrëveshja e dytë, “Masterplani në sektorin Ujor” ka një vlerë prej 2 milionë euro dhe është një financim grant i qeverisë gjermane, e cila vazhdon të mbetet kontribuesi kryesor në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri. “Me këto dy projekte të reja, ne do të arrijmë disa parametra shumë të rëndësishëm, i referohem fillimisht “Masterplanit në sektorin Ujor”, i cili do të bëjë të mundur që ne të kemi një metodologji të re, në strategjinë e furnizimit me ujë dhe kanalizime, të përcaktimit të mënyrës se si do të investohet, ku do të investohet dhe në ç’mënyrë do të investohet”, tha Olldashi. Qeveria gjermane mbetet donator kryesor i këtij projekti, me një kontribut prej 30 milionë euro, të gjitha fazat e këtij projekti. Sektori i ujërave është një ndër tre sektorët kryesore të angazhimit të qeverisë gjermane në Shqipëri, ndaj në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ne vendosëm të zhvillonim një masterplan në këtë sektor, tha Ambasadorja gjermane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›