Ligji i ri, në sitë gradat e gardianëve të burgjeve
Armand Bajrami
Ministria e Drejtësisë kalon në "sitë" gradat e Policisë së Burgjeve. Pak ditë më parë nga ky institucion është ngritur një grup pune, që do të shqyrtojë të gjithë "radhët" e policisë së Burgjeve dhe përcaktojë gradat e tyre, sipas kritereve të projektligjit "për Policinë e Burgjeve". Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas burimeve, grupi i shqyrtimit të gradave ka caktuar disa grada për punonjës të rolit të lartë, ndërsa në ditën në vijim priten të caktohen gradat për rolin e mesëm dhe të ulët.
GRUPI I PUNES
Bëhet e ditur se grupi i punës për shqyrtimin e gradave të punonjësve të Policisë së Burgjeve ka nisur punë pak kohë më parë. Fillimisht nga ky grup punë janë marrë në shqyrtim drejtuesit e parë të uniformave blu të këtij dikasteri. Burimet nuk dhanë detaje në lidhje me numrin e personave, të cilët kanë përfituar ngritje në gradë, por konfirmuan se për disa kategori ky shqyrtim ka marrë fund. "Janë caktuar gradat për punonjës të rolit të lartë. Në ditët në vazhdim pritet të caktohen edhe ato të rolit të nivelit të mesëm dhe të ulët", pohuan burimet. Bëhet e ditur se kriteret e përfitimit të rritjes në gradë për kategorinë e Policinë e Burgjeve janë të mirëpërcaktuara në një nga aktet nënligjore të "projektligjit për policinë e Burgjeve" të miratuar nga Komisioni i Ligjeve në nëntor të vitit të kaluar. Sipas projektligjit të miratuar, përfshihet çështja e gradave të Policisë së Burgjeve, hierarkia, kriteret për fitimin e gradës, heqja ose ulja në gradë. Gjithashtu në projektligj parashikohet edhe e drejta e ankimit nga ana e punonjësit të policisë, nëse nuk është dakord me vlerësimin për gradën.
PROJEKTLIGJI
Projektligji "Për Policinë e Burgjeve" u miratua nga Komisioni i Ligjeve më 10 nëntor të vitit 2008. Projektligji rregullon trajtimin e personelit, gradat, masat për ruajtjen e sigurisë në burgje, procedurat disiplinore e të tjerë. Referuar aktit nënligjor në këtë projektligj në lidhje me gradat "ngritja në gradë e punonjësit të Policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve korresponduese në çdo gradë". Bëhet e ditur se gradat do t'i referohen rolit dhe ecurisë së çdo punonjësi në karrierë. Po sipas projektligjit në urdhrin për ngritje në gradë, komisioni i dhënies së gradave përcakton edhe funksionin përkatës të punonjësit të policisë. Sipas projektligjit, ngritja deri në gradën "Komisar" bëhet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Vjetërsia në gradë
Sipas projektligjit të miratuar nga Komisioni i Ligjeve në vjetërsinë për efekt gradimi, llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të: paaftësisë së përkohshme shëndetësore si pasojë sëmundjeje; paaftësi shëndetësore e ardhur jo si pasojë e punës deri në 6 muaj; pezullim për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri apo vendimi ta paligjshëm; si edhe pezullim seri në përfundim të hetimit të një kallëzimi për sjellje në kundërshti me Rregulloren e Disiplinës.