E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Rama të ikë dhe të mos rikandidojë, Majko: PS mbeti në opozitë, të korrigjohemi

 

Ndërsa Kolegji Zgjedhor po shqyrton ankimimet e partive lidhur me procesin zgjedhor, një nga figurat e larta të Partisë Socialiste të opozitës shpreh brengën që sistemi i ri zgjedhor nuk arriti të shmangë zgjatjen pafund të dhënies së rezultateve në Shqipëri.Anëtari i kryesisë së PS-së, ish-kryeministri Pandeli Majko, justifikon në një intervistë për BBC-në mospranimin ende të humbjes nga koalicioni i udhëhequr nga PS-ja. Ai flet për “korrigjime” dhe jo “operacione” në Partinë Socialiste, dhe i quan “rastësore” rrethanat që çuan në afrimin e grupimit të majtë, Lëvizja Socialiste për Integrim e udhëhequr nga Ilir Meta në koalicionin qeverisës me grupimin e djathtë të udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha.
Zoti Majko, cili është mendimi juaj për këtë proces zgjedhor?
Koalicioni i deklaruar mes zotit Berisha dhe zotit Meta i jep atyre një lloj matematike votash e mjaftueshme për të diskutuar një histori qeverisje. Një histori e vjetër, e cila pavarësisht nga ndryshimet që ndodhin mbetet e njëjta. Kjo situatë tregon që kemi ende një sistem politik, i cili nuk ka prodhuar zgjedhje të cilat brenda 24 orëve të japin fituesin apo humbësin, të cilat në njëfarë mënyre e lodhin qytetarin e Shqipërisë. Disa ditë më parë kishim përfaqësuesin e qeverisë, i cili thoshte se maxhoranca ka fituar 71 vota dhe tani këto vota hap pas hapi janë duke marrë numërimin mbrapsht. U fitua mandati i 9-të në Fier nga PS-ja dhe sigurisht pritet hapja e kutive në Tiranë, Shkodër dhe në Berat.
Në pritje të verdiktit të gjykatës në qendër është vënë e majta, pra partia juaj, PS-ja, për atë se çfarë ndodhi me PS në zgjedhjet e fundit. A ka patur prononcime deri tani se si duhet të veprojë lidershipi i PS-së?
Mendoj që kriza në politikën shqiptare nuk zgjidhet me atë se si do të zbatohet statuti i PS-së. Historia që po diskutohet sot ka të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve, me mospasjen e një rezultati zgjedhor dhe me kërkesën e faktorit ndërkombëtar, e cila dje u ripërsërit për të patur një qeveri legjitime në Shqipëri. Kjo pastaj mund të sjellë një histori në vazhdim, nga e cila nuk do të shkëputet as debati i brendshëm, të cilin unë e konsideroj normal brenda radhëve të PS-së.
Zoti Majko, cili është qëndrimi juaj, i humbi koalicioni i prirë nga PS-ja këto zgjedhje?
Mendoj se zgjedhjet që erdhën në Shqipëri - këtë e kam thënë edhe më përpara datës 28 qershor - do të ishin një referendum për vazhdimin ose jo të qeverisjes nga zoti Berisha. Këtë referendum e humbi zoti Berisha me diferencë të madhe votash, duke patur parasysh dy dallimet e politikave zyrtare të koalicioneve të majta dhe të djathtës në krahun tjetër. Tanimë bëhet për një histori koalicioni mes zotit Berisha dhe zotit Meta, por mendoj se kjo ndërlidhet me histori rrethanash rastësore, sesa histori me shpallje humbësish apo fituesish. Gjithsesi jemi ende herët për të dhënë një rezultat përfundimtar, duhet pritur rezultati nga Kolegji Zgjedhor. Është e përsëritur historia, për fat të keq, që rezultati merret vesh nga Gjykata.
Edhe sipas rezultatit të parë që vjen nga KQZ-ja, koalicioni i prirë nga zoti Berisha është para koalicionit të prirë nga Partia Socialiste?
Kjo është një histori për t’u parë në vazhdim. Nuk dëshiroj të bëj atë që dredhon nga përgjigja e një pyetje direkte, mendoj se tanimë koalicioni i deklaruar mes zotit Berisha dhe zotit Meta i jep atyre një lloj matematike votash e mjaftueshme për të diskutuar një histori qeverisje, është për t’u parë në vazhdim. Mesa duket Partia Socialiste do të jetë në opozitë, duke patur parasysh koalicionin rastësor të LSI-së me zotin Berisha. Mendoj që gjërat duhen parë kështu, pres në vazhdim, siç ndodhi me kutitë e Fierit, të kemi një histori tjetër politike, përsa i përket situatës në Shkodër, në Berat dhe Tiranë.
Zoti Majko, e keni të vështirë ta shikoni ish-kryeministrin shqiptar, zotin Meta, si përfaqësues i së majtës në një koalicion qeverisës me të djathtën?
Padyshim, por mendoj se kemi të bëjmë me politikanë profesionistë dhe jo me fëmijë. Mendoj se nëse mund të kishim një dyshim parësor të përgjigjes që dha zoti Meta në konferencën e shtypit, dy orë pasi ishte bërë thirrja po me konferencë shtypi nga ana e zotit Berisha, mendoj se vendimi i marrë nga institucionet drejtuese të LSI-së në një mënyrë apo tjetër e shmangi, në mënyrë objektive, që kemi të bëjmë me një vendim shumë të personalizuar. Kemi të bëjmë me një vendim, i cili ka patur debatet e veta nga LSI-ja, të paktën atë që kam lexuar në shtyp, por kemi të bëjmë me vendimin e një partie për të hyrë në koalicion me një parti tjetër, gjëra të cilat në një mënyrë apo tjetër, duhet t’i pranojmë ashtu siç janë.
Kjo lidhet me një varg rrethanash rastësore, të cilat në një mënyrë apo tjetër çuan LSI-në në koalicion me zotin Berisha. Sigurisht, dëshiroj të nënvizoj fjalën “rrethanat rastësore”, sepse mendoj që janë rrethanat rastësore ato që e çuan një parti të majtë në koalicion me zotin Berisha, është vendimi i një partie, janë vendimet e politikanëve profesionistë. Dëshiroj të them që secili merr përsipër kostot dhe fitimet nga një ndërmarrje e tillë kaq e pazakontë sa ishte kjo. Mendoj që zoti Meta nuk do ta kishte parë as në ëndrrën e tij më të keqe, pra koalicionin me Sali Berishën, për ta mbajtur atë kryeministër.
Dhe karshi kësaj mund të dëgjohet se qëndrimi i partisë suaj dhe lidershipit tuaj nuk ka qenë shumë i drejtë ndaj LSI-së dhe zotit Meta?
Të jemi të sinqertë, ne u përgatitëm për skenarin më të keq, dhe duke u përgatitur për skenarin më të keq të një bashkëpunimi të mundshëm të LSI-së me PD-në, në fakt ndihmuam për realizimin e këtij skenari. Pra, sot kemi një bashkëpunim legal të PD-së me LSI-në për të mbajtur Sali Berishën në zyrën e kryeministrit.
Zoti Majko, sipas mendimit tuaj, a do të ndryshojë diçka në mënyrën e të bërit opozitë në katër vitet e ardhshme në Partinë Socialiste?
Mendoj se ka shumë gjëra për të diskutuar aktualisht në Shqipëri dhe jam partizan i faktit që korrigjimi është më i mirë se operacioni. Duke vazhduar në logjikën e lajmit të BBC-së, unë jam në logjikën e ftohtë se korrigjimi është gjithmonë më i mirë se sa operacioni. Ka një debat që do të vlerësojë situatën e krijuar në Shqipëri, por unë jam optimist, jo thjesht për të qenë i tillë, mendoj se kemi një histori për të ndryshuar para nesh, një histori e cila duhet të zhvlerësojë një histori politike parullash, pas së cilës fshihet një boshllëk i madh intelektual, prapa gjuhës së ashpër ku fshihet një vakum i përgjithshëm, që fsheh druajtjen dhe mungesën e çdo ndjenje drejtimi.
Me pak fjalë, mendoj se në këto vite kemi arritur të realizojmë një politikë, e cila na ka dhënë këtë rezultat që kemi sot, e konsideroj rezultat rastësor. Jam në pritje, si çdo socialist, me ankth, dhe mendoj që në çdo rast kjo që ka ndodhur duhet parë si një përmbledhje e rrethanave rastësore dhe jo si një dështim i madh. E ritheksoj, nuk kemi të bëjmë me një dështim të Partisë Socialiste, kemi të bëjmë me varg rrethanash rastësore të cilat thjesht vonuan, ose po vonojnë konkluzionin për të cilin ne kemi vite që po punojmë. Ajo që unë shoh në vazhdim është që duke korrigjuar vetveten, ne kemi mundësi që në një të ardhme të afërt do të kemi mundësi të rikuperojmë të gjithë këtë histori të çuditshme të zhvilluar pas 28 Qershorit. Dhe nuk besoj se kjo zgjidhet thjesht duke i thënë Edi Ramës largohu nga zyra, apo duke nxitur një histori, e cila në thelb do të nxiste një demotivim në radhët e socialistëve.    BBC

Blushi: Rama të largohet dhe të mos rikandidojë

“Dua të flas në emër të së vërtetës. Edi Rama të largohet, nuk na çoi në fitore”. Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, pas intervistës në gazetën “Panorama” pak ditë më parë, dje në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Tv Klan, për herë të parë në një studio televizive analizoi arsyet që çuan socialistët në humbje. Sipas tij, për shkak se socialistët mbetën në opozitë, ai duhet të largohet. Ai i bëri thirrje kreut socialist të ndalojë persekutimet e kryetarëve të degëve lokale, që kanë kërkuar zbatimin e statutit.
Kryetari socialist Edi Rama është shprehur se ju u ngutët..?
Rama mund të thotë mos u ngut, por unë flas në emër të së vërtetës dhe e vërteta që dua të ndaj me çdo shqiptar është se pavarësisht nga defektet e administrimit të votës, ne nuk kemi marrë rezultatin që donim. Parashikimi ynë ishte të fitonim. E kam të pamundur të ndryshoj rezultatin në tavolinë, dhe pse doja të ishim fitimtarë në këto zgjedhje. Edhe unë kam besuar se duhet të investoheshin për një qeveri autonome të PS-së, që të mos bënim pas zgjedhjeve koncesione me të tjerë. Unë ndaj atë çka duhet ndarë. Unë dua të bëj një analizë politike të zgjedhjeve dhe administrimi është një gjë tjetër.
Ju e kishit këtë program apo s’kishte fare program ?
Në rastin më të mirë do duhet t’i kishim dhënë një program tjetër shqiptarëve, për probleme që lidhen me varfërinë, me shëndetësinë, arsimin, bujqësinë. Do duhet të kishim adresuar në mënyrë më direkte zgjidhje për një numër të madhe votuesish që do kishin parë te problemi ynë një zgjidhje të problemit të tyre. 
Programi ynë në 7 shtylla do duhej të ishte detajuar.
Edi Rama duhet të qëndrojë apo të largohet nga drejtimi i PS? 
Procesi politik ka mbaruar, pavarësisht se çfarë do vendosë Kolegji Zgjedhor. Procesi i administrimit të votës vazhdon. Meqë administrimi i votës nuk ka mbaruar dhe nëse Rama do më kërkonte të largohej, unë do t’i thosha: Jo, duhet të qëndrosh deri në fund të administrimit të votës! Në një analizë politike, PS nuk do të mundë të qeverisë vendin dhe për këtë arsye zoti Rama duhet të zbatojë statutin. PS konkurroi në 2009 me PD dhe jo me PS e 2005.
Ajo që dimë deri sot, mbi të cilën ngremë analizën tonë, është se e djathta ka 30 mijë vota më shumë se koalicioni i PS. PS ka 10 mijë vota më shumë se PD. Por kjo nuk ka efekt, sepse nuk prodhon mandate, mandatet prodhohen nga koalicionet. Edhe në 2005, PS ka dalë e dyta dhe kjo na shqetëson më shumë mua dhe shumë të tjerëve që ne nuk vijmë dot në pushtet.
Zoti Rama duhet të dorëhiqet dhe të rikandidojë apo të largohet?
Ka një kontradiktë logjike në këtë rast. Nëse zoti Rama dhe PS në masë, sepse PS ka 60 mijë anëtarë, marrin vendimin që të mos njohim zgjedhjet, ai s’duhet të japë dorëheqje. Nëse ai i njeh zgjedhjet, ai duhet të largohet, sepse nuk e solli PS në pushtet dhe ai s’duhet të rikandidojë.
A do rikthehet Fatos Nano në PS pas kësaj humbjeje?
Sot që flasim, si zoti Nano ashtu dhe zoti Rama dhe pse janë krejtësisht ndryshe se si ata e shohim botën, janë të barabartë në një pikë; si kryetarë të PS, ata kanë humbur zgjedhjet e 2005 dhe të 2009. Nëse Rama do të rikandidojë, ai duhet të ftojë në garë edhe zotin Nano, i cili humbi zgjedhjet.
Dëmtoi moskandidimi i Ramës në zgjedhjet e 28 qershorit?
Ndoshta krijoi një moment pasigurie në një kontingjent të elektoratit të mesëm që mund të bënte diferencën. Një nga arsyet që ndoshta ne nuk morëm diferencën që na duhej në zgjedhje, ishte dhe mënyra se si zoti Rama vendosi të performonte përballë Sali Berishës në fushatë. Ai duhet të kishte dalë në debat me Sali Berishën dhe do ta kishte humbur. Debati i liderëve është i domosdoshëm sepse krijon kontrast mes liderëve. Nëse ai në 6 muajt e fundit do të kishte bërë disa debate me Berishën, do kishte rritur numrat në zgjedhje sepse do bënte diferencën. Ne kemi një debat të munguar Rama-Berisha.
Do të mbani qëndrime kundër anëtarëve të kryesisë apo të degëve lokale, nëse vini në krye të PS-së?
Kundër meje personalisht akoma nuk ka dalë njeri dhe ndoshta ky emision mund të provokojë një gjë të tillë. Unë nuk dua që të ketë keqkuptime. Nëse ka njerëz që mendojnë se KQZ ndryshoi mendim se unë fola te “Panorama”, unë jam gati ta marr të gjithë këtë përgjegjësi mbi kurriz, por kjo s’do të na jepte të vërtetën e 28 qershorit. Këtu dua të them dy fjalë për dy kryetarë të PS, njëri në Shkodër dhe tjetri në Lushnje të cilët për fat të keq, dhe kjo është një nga arsyet që unë kam dalë në media, po kthehet në një fenomen punist brenda PS, sipas të cilit, dhe kam kurajo ta them këtë, nuk njihet realiteti; treçerku i kryesisë del dhe thuhet që ne nuk kemi humbur por kemi fituar; kur i pyet se ku kemi fituar, të thonë se nuk e dinë. Pastaj të thonë se kemi humbur sepse doli një grup armiqësor, duke më futur edhe mua aty. Këta njerëz thonë sepse Beni është armik etj. Ka një grup që thotë se doli një grup armiqësor me Ilir Metën në krye sepse ne e kishim për tre ditë pushtetin dhe e çoi tek Sali Berisha. Ky është një fenomen punist dhe nëse PS orientohet me këtë trajektore dhe shkon duke mohuar realitetin, duke bojkotuar institucionet, duke persekutuar ata që mendojnë ndryshe, ka dalë dje një kryetar partie dhe ka thënë që të zbatojmë statutin. Të dy këta kryetarë partie po persekutohen. Unë pyes përse ky persekutim? Sepse po thonë që të zbatohet statuti i partisë? Ku ka grup shoqëror që funksionon pa rregulla? PS ka disa rregulla. Në Lushnje ka shkuar një punonjës administrate i PS, ka mbledhur asamblenë e PS Lushnje dhe i ka thënë kryetarit të dalë përjashta. Kjo po ndodh dhe në Shkodër dhe po ndodh për të frikësuar edhe njerëz si unë. Unë nuk kam frikë nga asgjë. PS po ndahet këto 20 ditët e fundit nga shoqëria shqiptare. Shumica shqiptare nuk mendon si ne, pra e kupton se ne nuk fituam. Nëse PS tkurret për interes të Edi Ramës, apo interesin tim, ndoshta nuk do kem mundësi ta frenoj, por nuk do ta pranoj dot.
Zoti Rama duhet të dilte sot dhe të mbronte kryetarin e PS Lushnje dhe Shkodër, ndërsa foli për KRRTRSH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›