E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri për sekuestrimin e pasurive kriminale

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar draftin që do të ndryshojë ligjin e mëparshëm. Sekuestro pronave dhe më pas verifikim


TIRANË- "Çdo person i Republikës së Shqipërisë i cili nuk justifikon pasurinë e tij edhe nëse nuk ndiqet penalisht për vepra të ndryshme penale, pasuria e tij do t'i sekuestrohet e konfiskohet nga autoritetet e drejtësisë".


Ky është thelbi i draftit ligjor që Ministria e Drejtësisë, po e përgatit në zyrën e Kodifikimit të këtij dikasteri dhe që pritet shumë shpejt të kalojë nëpër duart e institucioneve përkatëse për të dhënë oponencën e tyre dhe më pastaj për të kaluar në qeveri për miratim.


Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, znj. Marsida Xhaferllari, shumë shpejt ndryshimet që do t'i bëhen ligjit të hartuar në vitin 2004 për "Parandalimin e Krimit të Organizuar" do të jenë drastike, pasi ligji në fuqi është deformuar gjatë praktikës ligjore, duke dalë jashtë funksionit të tij.


"Ndryshimet e këtij ligji të viti 2004, që tashmë pothuajse ka dalë jashtë funksionit me një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, do të jenë drastike, pasi do të rregullohen të gjitha të metat dhe boshllëqet e ligjit ekzistues.


Me ndryshimet e reja të këtij ligji, të gjithë shtetasit shqiptarë, qoftë të ndjekur ose jo penalisht do t'i nënshtrohen verifikimit të pasurisë, ku nëse individi apo shoqëria nuk e argumenton krijimin e asaj pasurie ajo do t'i sekuestrohet dhe më pas konfiskohet.


Me këto ndryshime, nuk do t'i nënshtrohen verifikimit të pasurisë vetëm personat që kanë kryer një vepër të rëndë penale, por, të gjitha ata që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre",- tha Xhaferllari, duke shtuar se kjo procedurë e verifikimit të pasurisë do të ndiqet nga një seksion i posaçëm pranë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Do të jetë kjo e fundit që do të përballet me individin apo shoqërinë në Gjykatë, gjatë kërkesës për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë.


Gjithashtu, sipas Xhaferllarit, këtij ligji do t'i shtohen edhe disa vepra të tjera penale përveç atyre të trafikut të drogës që janë në fuqi tashmë.


"Në ndryshimet e reja të këtij ligji, do të përfshihen edhe disa vepra të tjera penale, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në ligjin e 2004, si vepra penale e "korrupsionit pasiv" ajo e "korrupsioni aktiv" të zyrtarëve, akuza e "pastrimit të parave" etj etj, për të cilat do të përgjigjen para Gjykatës të gjithë ata individë që hetohen apo dënohen për këto vepra penale.


Në ndryshimet e reja do të përcaktohet qartë, që çdo person i ndjekur penalisht për një vepër penale si trafik i drogës, do t'i verifikohet e sekuestrohet pasuria e vënë jo vetëm që nga momenti i arrestimit e më pas, por, edhe para fillimit të ndjekjes së tij penale nëse provohet që është vendosur në mënyrë të paligjshme",- tha Xhaferllari për "Shekullin".


Përveç këtyre ndryshimeve, në draftin e ri pritet të përcaktohen edhe kompetencat lëndore të gjykimit të këtyre çështjeve për sekuestrim e konfiskim të pasurisë, duke përcaktuar qartë edhe nga sa gjyqtarë duhet gjykuar një dosje sekuestrimi apo konfiskimi.


Ndër pikat e rëndësishme të këtij ligji, sipas Drejtoreshës së Kodifikimit është edhe ajo e destinacionit të këtyre pronave dhe pasurive të sekuestruara e konfiskuara. "Në ndryshimet e reja, do të përcaktohet edhe destinacioni i kësaj pasurie të sekuestruar e konfiskuar.


Ajo të do kalojë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar pranë Ministrisë së Financave, e cila do t'i nxjerrë në ankand dhe të gjitha të ardhurat do të shkojnë në buxhetin gjyqësor, tek zyrat e menaxhimit të viktimave të trafikut, etj etj"- theksoi Xhaferllari.


Mësohet se ndryshimet e këtij ligji, janë marrë nga modeli i Mbretërisë së Bashkuar, e cila pak kohë më parë ka miratuar ligjin e ri për sekuestrimin e pasurisë së ngritur në mënyrë të paligjshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›