Fsheh vëllanë klandestin në gomën rezervë
Beshir Doraci ndiqet penalisht me akuzën e trafikut të klandestinëve pasi ka tentuar të dërgojë të vëllanë në Itali
VLORË- Ka tentuar të kalojë të vëllanë drejt Italisë, por gjithçka ka qenë e pasuksesshme. Ngjarja ka ndodhur dje në portin e Vlorës, ndërsa për kalimin është shfrytëzuar fluksi që vijon drejt Italisë, edhe në këto ditë të para të shtatorit.
23- vjeçari që ka ardhur nga shteti fqinj dhe do të ikte po brenda ditës drejt tij, e kishte futur të vëllanë në vendin e qëndrimit të gomës rezervë, ndërsa kontrolli i ushtruar në pikën e kalimit nuk ka lejuar vijimin e udhëtimit në të tilla kushte.
Mësohet se në orët e ditës së djeshme, në stacionin e policisë kufitare të portit të Vlorës është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Beshir Doraci, 23 vjeç, lindur në fshatin Poro dhe banues në Bishan të Vlorës.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi po ditën e djeshme, rreth orës 11.50 në stacionin e policisë kufitare të portit Vlorë, në vendin e quajtur pika e kontrollit të automjeteve që udhëtojnë drejt shtetit Italian, është kapur në flagrancë. Në mjetin e tij tip golf me targa të shtetit italian, "BD467TM", i është gjetur i fshehur vëllai i tij, në vendin e qëndrimit të gomës rezervë.
Klandestini i gjetur së bashku me të vëllanë transportues, janë shoqëruar në këtë pikë për të bërë intervistimin. Vetë vëllai i fshehur, A. Doraci ka deklaruar se qëllimi ishte të shkonte në Itali. Nga verifikimet e bëra rezulton se Beshir Doraci, kishte hyrë nga pika e kalimit të portit Vlorë dhe po atë ditë do të dilte për tu nisur drejt shtetit Italian.
Në ngarkim të shtetasit Beshir Doraci, iu dërguan materialet prokurorisë së rrethit gjyqësor Vlorë, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Librazhd, banorët, peticion Ministrisë së Mbrojtjes: Jeta në fshat është bërë mjaft e vështirë, do nisin, protestat
Shkatërrimi i municioneve rrezikon banorët
ELBASAN- Shkatërrimi i municioneve ka vënë në hall banorët e fshatit Qendër në komunën me të njëjtin emër në rrethin e Librazhdit. Prej vitesh në poligonin e malit të Zgarëz vazhdon procesi për shkatërrimin e municioneve të armëve të rënda por kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm shpërthimet dhe rreziqet për banorët që jetojnë afër këtij mali.
Teksa kanë pritur që zhurmat të kufizohen, shpërthimet janë shtuar jo vetëm gjatë ditës por edhe gjatë natës. Kjo ka bërë që kryefamiljarët të bashkojnë firmat në një peticion drejtuar prefekturës.
Të shqetësuar ata thonë në peticion se nuk mund të jetojnë dot nga zhurmat e krijuara në çdo kohë dhe do të detyrohen të braktisin shtëpitë nëse nuk merren masa. Sipas banorëve, zhurmat nuk kanë qenë të tilla kohë më parë. Shkatërrimet bëheshin në një kohë të caktuar por ka disa muaj që bëhen në çdo kohë madje edhe gjatë natës.
"Jeta në fshat është bërë mjaft e vështirë dhe në rast se ju nuk merrni masa atëherë ne do të ndërmarrim protesta pasi rruga e vetme është largimi nga shtëpitë tona këtu dhe mundësi për të ndërtuar shtëpi të reja larg nuk kemi",- thonë banorët në peticionin e tyre.
Me të mbërritur ky peticion me të paktën 20 firma në prefekturë, drejtues të Shtabit të Emergjencave kanë hartuar një shkresë drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes për uljen e numrit të municioneve për demontim në këtë poligon. Për këtë fakt është vënë në dijeni dhe prefekti. Ky i fundit konfirmoi se po bëhen të gjitha përpjekjet që banorët të mos kenë ankesa mbi municionet.
Poligoni ushtarak në Malin e Zgarës vazhdon shkatërrimin e municioneve të kalibrit të madh qysh prej vitit 2004. Vende të tjera ku demontohen municione janë Uzina e Mjeksit me parametra optimalë dhe uzina e Çekinit. Këto të fundit aktualisht nuk e vazhdojnë këtë proces.
Vritet emigranti shqiptar gjatë një operacioni policor.
ATHINË- Vritet një shqiptar dhe një tjetër plagoset, gjatë një operacioni të policisë greke për arrestimin e disa të kërkuarve për vjedhje, ngjarje kjo e ndodhur në kryeqytetin e shtetit fqinj, në Athinë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 7 : 00 të mëngjesit, ku operacioni i policisë helene është bërë pas konstatimit të shumë vjedhjeve të ndodhura në Athinë gjatë gjashtë muajve të fundit.
Sipas të dhënave të medieve greke, dy shqiptarët, ku njëri mbeti vrarë dhe tjetri i plagosur, ishin shpallur prej kohësh në kërkim të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve dhe grabitjeve të banesave në zona të ndryshme të kryeqytetit grek.
Mësohet se forcat policore greke në fillim iu kanë bërë thirrje dy shqiptarëve të dorëzohen, ku më pas bëhet e ditur se këta dy të fundit janë kundërpërgjigjur me zjarr.
Pikërisht në momentet kur njëri prej shqiptarëve ka hapur zjarr, kane reaguar dhe grupi special i operacionit duke qëlluar për vdekje njërin prej shqiptarëve, ndërsa tjetri ka mbetur i plagosur. Autoritetet policore greke nuk kanë dhënë asnjë informacion për identitetin e viktimës dhe shqiptarit tjetër që mbeti i plagosur gjatë operacionit të policisë.