Mjekësia, Gati Karta e Studentit
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës do të pajisen së shpejti me Kartën e Studentit, që është një kërkesë e hershme e mjaft të rinjve që vijojnë studimet e larta. Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë (KSFM) bën të ditur se projekti i Kartës së Studentit është në bashkëpunim me dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët e kanë pranuar dhe përkrahur njëkohësisht këtë iniciativë. Dekanati në ditët në vazhdim pritet të nxjerrë një urdhërzbatimi për të gjithë studentët e Mjekësisë, që të pajisen me ketë Kartë Studenti, pasi në të kundërt nuk mund të futen në provime. Përfitimet e Kartës së Studentit do të jenë: lehtësira në hyrjet e ambienteve spitalore, në bibliotekë, në sallën e internetit në katin I në FM, identifikimin si student europian që ndjekim një fakultet-tempull shkence në Shqipëri etj. Ndërkohë, pasi të kalojë në Këshillin e Fakultetit, Karta e Studentit mund të përdoret më vonë edhe si mjet për t’u futur edhe në provime, duke zhvlerësuar librezat që janë lehtësisht të falsifikueshme. Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë njofton se ditën e mërkurë do të fillojnë regjistrimet për t’u pajisur me Kartën e Studentit, ndërsa procedurat do të detajohen gjatë ditëve në vazhdim, ku çdo student do ta posedojë këtë kartë kundrejt një shumë minimale në bankë.