E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për spiunët, si do të hetohen deputetët dhe zyrtarët e lartë

Shkarkohen zyrtarët e emëruar, publikohen emrat e bashkëpunëtorëve

Eljona Ballhysa

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka depozituar dje në Kuvend projektligjin për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve. Ky projekt, sipas Biberajt, është ndërthurje e tre drafteve të paraqitura prej kohësh në Kuvend nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane. Projekti i Biberajt parashikon hapjen e dosjeve dhe verifikimin e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat e dhunës së regjimit komunist. Në bazë të këtij projekti, në rastet kur vërehet përfshirje e zyrtarëve të emëruar në strukturat e regjimit komunist, këta shkarkohen nga detyra që mbajnë. Ndërsa përsa u përket deputetëve dhe funksionarëve të lartë të shtetit, emrat e tyre bëhen publikë në median dhe në opinionin e gjerë.
Objekti
Në projektin e tij Biberaj ka paraqitur tre variante për subjektet e verifikimit. Një variant është që të hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bëhen publike, me përjashtim të atyre që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare. Varianti i dytë parashikon hapjen e arkivave, të mos bëhen publike, në përjashtim të rasteve kur çdo qytetar i interesuar kërkon të marrë informacion për veten e vet ose familjen e tij. Dhe varianti i tretë parashikon që subjekte të verifikimit të jenë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e larta të shtetit. Këtu përfshihen Presidenti i Republikës dhe të dekretuarit e tij, deputetët e Kuvendit dhe të zgjedhurit nga Kuvendi, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, gjyqtarët, prokurorët etj. Sipas këtij projekti, pastërtia e figurës morale të këtyre funksionarëve bëhet e papajtueshme në rast se verifikohet që këta persona kanë mbajtur gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991 detyrën e anëtarit ose kandidatit të Byrosë Politike, anëtarit ose kandidatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike. Pastërtia e figurës morale bie ndesh dhe me detyrat e tjera si anëtarë qeverie, anëtarë i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm zv.ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorë sekret të organeve të Sigurimit të Shtetit, të dënuar për krimet kundër njerëzimit, anëtarë të Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokurorë, gjyqtarë apo ndihmësgjyqtarë në procese politike speciale si dhe denoncues apo dëshmitarë rëndues në proceset politike.
Hetimi
Për verifikimin e pastërtisë morale të figurës së funksionarëve parashikohet ngritja e Autoritetit të Kontrollit të Figurave, i cili do të jetë një institucion i pavarur, puna e të cilit do të zgjasë deri në vitin 2014. Autoriteti do të përbëhet nga 5 anëtarë, një prej të cilëve do të propozohet nga presidenti, një nga Këshilli i Ministrave, një nga drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it, një nga grupi parlamentar më i madh i maxhorancës si dhe një nga grupi parlamentar më i madh i opozitës. Anëtarët e Autoritetit do të miratohen nga Kuvendi. Autoriteti nis procedurën e verifikimit të funksionareve pas kërkesës me shkrim, të titullarit të institucionit për funksionarin publik. Brenda 30 ditëve, Autoriteti shqyrton papajtueshmërinë morale të figurës së funksionarit dhe procedon në dy variante. Në rastet kur rezulton se zyrtari është i papërfshirë si bashkëpunëtor i regjimit komunist, një kopje e këtij vendimi i komunikohet eprorit të institucionit apo organit që e ka zgjedhur si dhe për dijeni, zyrtarit konkret. Ndërsa në rastet kur rezulton se zyrtari është i përfshirë, pra është bashkëpunëtor i regjimit komunist, një kopje e vendimit i dërgohet zyrtarit në fjalë si material konfidencial. Çdo zyrtar, që në përfundim të hetimit klasifikohet i përfshirë, i garantohet e drejta për t’u njohur me materialin e shqyrtuar dhe ka të drejtë të paraqesë ankimim pranë Autoritetit dhe pas verifikimit në rast se sërish nuk bie dakord, ka të drejtë të paraqesë ankimin në Gjykatën e Lartë. Pas marrjes së vendimit nga autoriteti shtetëror, eprori i institucionit, kur zyrtari është i papërfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit. Ndërsa kur zyrtari është i përfshirë, organizon një seancë të mbyllur për t’u informuar, për qëndrimin që do të ndjekë zyrtari në vijim. Kur funksionari deklaron dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, eprori arkivon kopjen e vendimit të komisionit si dokument të klasifikuar. Kur funksionari deklaron se refuzon dorëheqjen vullnetare, eprori i institucionit arkivon kopjen e vendimit të komisionit dhe brenda 10 ditësh përfundon marrëdhëniet e punës me zyrtarin, për shkak të padenjësisë së figurës së tij. Autoritetit i Kontrollit të Figurave do të publikojë në faqen e vet zyrtare identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën.

Funksionarët që janë objekt verifikimi

a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës;
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;
f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;
j) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);
k) Funksionarë në Gardën e Republikës;
l) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;
m) Diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike;
n) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokalë të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
o) Drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe te mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë;
p) Akademikë, rektorë/zv.rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike.
q) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.

Ndoka: “Vetëm ligji i PDK-së e bën transparencën e dosjeve”

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, është shprehur se vetëm ligji i PDK-së bën transparencë të plotë për hapjen e dosjeve. Ai e ka cilësuar shumë të vonuar nismën e Kuvendit për të miratuar ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. “Për fat të keq, ne jemi shumë të vonuar në marrjen e një vendimi përfundimtar për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara e errët komuniste, aq më tepër që loja me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, është një histori e gjatë dhe e trishtuar që luhet prej 17 vjetësh. Vonesë e tillë nuk na nderon, por na ngarkon me përgjegjësi si shoqëri dhe si klasë politike”, - është shprehur Ndoka. Më tej ai ka theksuar se ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit, së bashku me ish-komunistët fanatikë, kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në politikën shqiptare gjatë këtyre viteve të tranzicionit. “Këto kontingjente ideuan strategjinë e konfliktit permanent politik, sabotuan dialogun dhe tolerancën politike, nxitën dhe u bënë pjesë e grupeve kriminale të trafiqeve, të drogës, instaluan sistemin e korrupsionit, sabotuan institucionet e reja demokratike, mbollën pesimizmin në vlerat themelore të demokracisë”, - tha Ndoka.
Duke analizuar projektligjet e paraqitura së fundi në Parlament për këtë çështje, Ndoka tha se nga tre draftet ligjore për hapjen e dosjeve që ndodhen në Kuvend, vetëm projektligji i hartuar prej PDK-së premton dhe siguron hapjen e drejtë dhe të vërtetë të dosjeve, spastrimin moral të politikës dhe vendimmarrjes nga ata që bënë karrierë, duke burgosur e spiunuar qytetarë të pafajshëm.

Rregullorja e Kuvendit, Xhafaj propozon rastet kur ndryshohet Kushtetuta

Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka propozuar një tjetër amendim. Propozimi i Xhafajt lidhet me parashikimin në Rregulloren e Kuvendit, rastet se kur ndryshohet Kushtetuta e vendit. Amendamenti i Xhafajt parashikon zhvillimin e seancave të hapura në komisionet parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës si dhe realizimin e debateve me aktorë të grupeve të ndryshme të interesit për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit. Po kështu, burimet bënë të ditur se palët kanë rënë dakord gjatë mbledhjes së djeshme për realizimin e seancave dëgjimore të anëtarëve të dekretuar nga presidenti për Gjykatën e Lartë. Po kështu, sipas burimeve, anëtarët e këtij Këshilli kanë rënë dakord dhe për përshtatjen e ndryshimeve kushtetuese në Rregulloren e Kuvendit. Kështu, janë miratuar procedurat që do të ndjekë Kuvendi në rastin kur kryeministri kërkon mocion besimi për kabinetin qeveritar. Mësohet se nuk është marrë ende asnjë vendim, por fryma e diskutimit është drejt arritjes së një konsensusi.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›