Olldashi: Të mos ndahen postet në PD nga ato në qeveri
ADI SHKEMBI
Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike dhe anëtar i kryesisë së PD-së del kundër ndarjes së posteve në lidershipin e partisë, por shton se kjo formulë mund të aplikohet në postet e krerëve të degëve. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ish kryetari i degës së Tiranës thotë se “nuk mundet të kërkojmë që drejtimi politik i partisë të ndahet nga ekzekutivi por, nga ana tjetër, nga eksperienca si ish-kryetar i degës së Tiranës besoj se drejtuesit e degëve kryesore duhet të jenë jashtë ekzekutivit. Kjo, për arsye se struktura kërkon një vëmendje dhe përkushtim total, që është i pamundur, në kushtet e dy funksioneve . Sipas tij posti i sekretarit të përgjithshëm të partisë nuk duhet të ndahet nga ai ministror, teksa shton se edhe pse Berisha mund të jetë kandidati i vetëm për kryetar në selinë blu, kjo është një garë demokratike.
Në prag të Kuvendit Kombëtar të PD-së anëtarët e kryesisë kanë qëndrime të ndryshme lidhur me ndarjen e posteve. Ju i qëndroni mendimit se ata që kanë poste partiake nuk duhet të mbajnë poste qeveritare?
Nuk besoj që mund të bëjmë një ndarje të tillë. Në qoftë se futemi në bërthamën e problemit kemi një ekuacion sipas të cilit një parti ekziston, për të qeverisur dhe që të qeverisë ka nevojë për një strukturë efikase dhe të qëndrueshme. Çdo zhbalancim do ta dëmtonte ecurinë e mëtejshme të dy vektorëve. Dua të them që nuk mundet të kërkojmë që drejtimi politik i partisë të ndahet nga ekzekutivi, por, nga ana tjetër, nga eksperienca si ish-kryetar i degës së Tiranës besoj se drejtuesit e degëve kryesore duhet të jenë jashtë ekzekutivit. Kjo, për arsye se struktura kërkon një vëmendje dhe përkushtim total, që është i pamundur, në kushtet e dy funksioneve. Mbi të gjitha më duket se ky debat është hapur krejt pa vend, pasi zgjidhjet statutore as nuk propozohen as nuk votohen në shtyp. Cilido që ka një propozim konkret, jo të lidhur me interesa ngushtësisht të vetat apo një rrethi të vockël “të vetësh”, duhet që këto propozime t’i formësojë dhe të ndjekë rrugën proceduriale për diskutimin e tyre. Përmes grupit të punës për statutin, apo përmes strukturave deri në Kuvendin e PD-së.
A duhet përfshirë këtu edhe posti i Sekretarit të Përgjithshëm?
Përsa i përket Sekretarit të Përgjithshëm: në frymën e statutit të PD-së Sekretari i Përgjithshëm është figura numër dy, është tërësisht politik, dhe si i tillë mund të bashkëjetojë fort mirë në të dy funksionet. Për më tepër, po të kemi parasysh faktin që PD vjen në Kuvendin e 12 Dhjetorit si forcë fituese në zgjedhjet e fundit, është e pavend të kërkosh ndryshime të forta në ekipin e epërm drejtues të saj.
Kuvendi Kombëtar i PD-se do të mblidhet në dhjetor, megjithëse sipas statutit duhej të mblidhej brenda majit. Kjo shtyrje erdhi për shkak të shmangies së ndonjë pakënaqësie që mund ta dëmtonte partinë në zgjedhjet e 28 qershorit?
Pakënaqësitë nuk do të lidheshin me kongresin, por me listën e kandidatëve për deputetë. Pra, kush kishte planifikuar të pakënaqej, u pakënaq gjithsesi. Nuk kishte lidhje Kuvendi i PD-së me këtë. Kuvendi u zhvendos në kohë, brenda vitit statutor, për të mos shpenzuar një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare energji brenda vetes.
Kryetari i PD-se, Sali Berisha sipas të gjitha gjasave do të marrë edhe një mandat tjetër për ta drejtuar partinë dhe duket sikur do të jetë i vetëm në garë. A duhet të ketë edhe kandidatë të tjerë për ta bërë këtë garë sa më demokratike?
Eshtë vetëm demokratike kjo që thoni ju? Është tërësisht demokratike që Sali Berisha, kryetari i partisë fituese në zgjedhje të kërkojë rimandatim në Kuvend dhe është po kaq demokratike që gara të lihet e lirë, qoftë edhe me një kandidat, nëse nuk ka realisht të tjerë. Në qoftë se ju vlerësoni si demokratik standardin e Namik Dokles apo të Maqo Lakrorit, “petët” e të cilit nuk mbulojnë dot asnjë fije të turpit të atij procesi, e keni gabim. Demokracia në thelbin e vet ka votën. Votën reale, Pra, kushdo që ka dëshirë të kandidojë përballë Sali Berishës për kryetar i Partisë Demokratike është i mirëpritur të kandidojë. Por që të shpiken “kandidatë”, gjoja për të pasur “standarte” është një deformim edhe demokratik, edhe logjik.
Megjithëse PD ka miratuar parimin ‘një anëtar një votë’ edhe këtë vit ai nuk do të zbatohet. Duket sikur në këtë drejtim jeni mbrapa PS...
Ne aplikojmë një anëtar një votë në strukturat tona bazë. Dhe e aplikojmë vërtet. Nuk bëjmë atë që bëri PS-ja që rriti fiktivisht anëtarësinë, dhe nuk u lejoi atyre që donin të hynin në garë të drejtën për të pasur përfaqësues dhe komisionerë në proces. Parimi një anëtar një votë në PS është i vërtetë, por për fat të keq jo vetëm të PS-së, por të sistemit politik në vend, në PS i vetmi anëtar është Edi Rama dhe rrjedhimisht e vetmja votë është po e Edi Ramës. Dhe jo mendoni se ky është aplikim demokratik???