Ligji për Prokurorinë diskutohet sot priten debate në Komisionin e Ligjeve
Kalimi i Kodit i jep fund bojkotit të socialistëve
Selia rozë rrezikon sërish që të bëhet pjesë e lojës politike duke e demonizuar këtë projekt nën pretekstin se po kërkon që të godasë Prokurorinë e Përgjithshme në momente delikate, megjithatë shumica duket e vendosur që të mbajë angazhimet e saj për reformimin e sistemit të drejtësisë
TIRANE - Në përputhje me kalendarin 3 javor që përmbyll punimet e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit, komisioni i ligjeve do të marrë sot në shqyrtim projektligjin e shumëdebatuar mbi Prokurorinë e Përgjithshme. Disa ditë më parë ky projekt ishte futur në rendin e ditës dhe për këtë në sallë ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Megjithatë bojkoti në bllok i anëtarëve socialistë për shkak të çështjes së Kodit dhe vullneti i shprehur më shumë se një herë nga mazhoranca për ta kaluar këtë draft me konsensusin të gjerë bëri që shqyrtimi i saj të shtyhej. Kalimi i Kodit të ri Zgjedhor në komisionin e posaçëm zgjedhor ditën e mërkurë i hap rrugë rikthimit të përfaqësuesve të PS-së në komision.
Drafti me mbi 20 ndryshime, në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme ka mbërritur në Kuvend në mesin e muajit dhjetor. Mes shumë neneve të këtij projekti Shoqata e Përgjithshme e Prokurorëve dhe Këshilli i Prokurorëve, përqendrojnë kritikat dhe kundërshtitë e tyre në nenet 17 dhe 28, të cilat sipas tyre rrisin varësinë politike të organit qendror të akuzës dhe lenë jashtë vëmendjes rolin e prokurorit në çështjet penale.
Për shkak se lufta politike e selisë rozë në këto muaj ka luajtur pikërisht me këto teza, duhet të pritet që anëtarët socialistë ta kundërshtojnë fort me arsyetimin se synon që të godasë institucionet e pavarura kushtetuese në një moment delikat. Megjithatë sa kohë që mendimi i pakicës do dëgjohet do të jenë pikërisht votat ato që do të vendosin për fatin e këtij projektligji. Dhe duket se mazhoranca, ashtu si në rastin e ligjit për dosjet nuk mund të presë që opozita e majtë të shkëputet nga ethet e fushatës elektorale por të respektojë angazhimet e para për reformimin e sistemit problematik të drejtësisë.
Kuvendi në kalendarin e punimeve të këtij fundviti ka parashikuar që votimi për projektligjin e “Prokurorisë” të realizohet ditën e hënë më 29 dhjetor që është edhe seanca e fundit plenare për këtë vit.