E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ligji për Prokurorinë, prioritet i ekzekutivit jo i Kuvendit”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Partisë Demokrate të Re, por dhe njëri nga aleatët e ngushtë të Partisë Demokratike, duket se nuk ndan të njëjtin qëndrim me të për prioritetet e Kuvendit me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Sipas tij, prioritet për Kuvendin është Reforma Zgjedhore për të cilën ky institucion mban përgjegjësinë kryesore dhe jo Reforma në Drejtësi, e cila më tepër duhet të jetë prioritet për ekzekutivin. Pak ditë më parë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, pohoi se prioritetet e mazhorancës janë ligji i dosjeve, Reforma Zgjedhore dhe ligji për Prokurorinë. Kjo është pohuar edhe dje nga Sali Berisha. “Për Reformën në Drejtësi, roli i Parlamentit nuk është i tillë si në Reformën Zgjedhore. Në Reformën Zgjedhore, roli i Parlamentit është më i qartë dhe gjithçka përmblidhet në ligjin që do të kalojë Parlamenti. Reforma në Drejtësi nuk është një reformë që hapet dhe mbyllet me një ligj. Sistemi i drejtësisë fillon pa ndërprerje. Ky sistem ka filluar reformimin që më 22 mars të vitit 92 kur fitoi demokracia. Është një sistem që nuk mbaron kurrë, gjithmonë ka nevojë për ndryshime. Por për këtë reformë rol kryesor ka Ekzekutivi”, - tha për gazetën Shehu. Ai u shpreh më tej se të tjera prioritete për Kuvendin janë ligji i dosjeve, por dhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me sistemin shëndetësor, në muajt e mëvonshëm buxheti etj. Numri dy i PDR-së pohoi se disa prioritete të Kuvendit duhet të jenë ligji për shëndetin publik, ligji i financimit të sistemit shëndetësor dhe ligji i farmaceutikës. Ndërkohë që tjetër prioritet për të është ligji i dosjeve. “Ka dhe ligje të tjera të rëndësishme si ai i dosjeve që diskutohet dhe ka disa variante ku Parlamenti do të zgjedhë më të mirin apo do krijojë kombinim. Në nëntor vjen buxheti. Pra ka shumë ligje të rëndësishme. Parlamenti ka dhe anën tjetër që është aktiviteti për të promovuar Shqipërinë. Do të përfundojë ratifikimi i MSA-së, kanë ngelur Gjermania dhe Greqia. Fillon ratifikimi i Protokollit me NATO-n që edhe ai duhet të fillojë në një kohë të shkurtër, pjesa dërrmuese duhet të mbyllet brenda këtij viti. Pra janë shumë objektiva”, - tha ai. Lidhur me koalicionin e djathtë, Shehu tha se vazhdojnë negociatat, të cilat do të mund të çojnë në shkrirjen e kësaj partie me PD-në. Duke vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me demokratët, ai tha se brenda një kohe të shkurtër do të qartësohet përfundimisht mënyra e konfigurimit të partive të djathta.
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›