E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Prokurorinë, reagon shoqata

Tiranë- Pas miratimit të draftit të ligjit për Prokurorinë me konsensus të dy partive të mëdha PD-PS ka reaguar sot shoqata e prokurorëve. Përmes një deklarate për shtyp shoqata kërkon rishikimin e disa neneve që nuk garantojnë mbrojtjen me ligj të prokurorit dhe kërkoi nga partitë që e votuan në komisionin e ligjeve ta marrin parasysh sugjerimin e tyre. Meqenëse ligji nuk k kaluar ende në seance plenare për miratim, ata kanë kërkuar që të merren parasysh disa sugjerime, për të mos lejuar cenimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë.

Shoqata është shprehur për rishikimin e nenit 36 të ligjit aktual. “Ky nen tashmë është pranuar nga të gjithë, që nuk përbën imunitet për Prokurorët, për tu hetuar e gjykuar për çdo vepër penale që ata mund të kryejnë, me procedurë ligjore si të gjithë shtetasit e tjerë. Ky nen është vendosur për të mbrojtur prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, nga veprimet arbitrare dhe të paligjshme që mund t’i ndodhin”- thuhet në deklaratën për shtyp.

Pas kësaj, sugjerimi tjetër vjen për nenin, që sipas prokurorëve rrit aksesin e ekzekutivit për të kontrolluar nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë punën e prokurorëve, për të raportuar në Parlament rezultatet e këtij kontrolli dhe më e rëndësishmja i jep të drejtën t’i rekomandojë Prokurorit të Përgjithshëm marrjen e masave disiplinore për prokurorët, deri në shkarkim të tyre nga detyra.

“Këto dy nene megjithëse të kundërshtuara nga prokurorët, Komisioni i Komisioni i Ligjeve nuk i mori në konsideratë . Për këtë arsye Shoqata sugjeroi sot që të rishikohen nenet e kundërshtuara pasi “duhet tu garantohet me ligj, të paktën mbrojtja e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve”- theksohet në deklaratë. Ligji kaloi dje në komision, ndërkohë që kryeprokurorja e përgjithshme bëri kontestimin e këtyre dy neneve, duke deklaruar se ato drafti në formën që është cenon figurën e prokurorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›