E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndoka: Koalicion me PD-në? Në politikë nuk thuhet “kurrë”

Intervistoi: Nevila Perndoj

TIRANË “Në politikë nuk thuhet asnjëherë, ‘kurr뒔! Kjo është përgjigjja e kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, teksa pyetet për mundësinë e rikthimit në një koalicion me Partinë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Edhe pse e sheh veten larg nga PD-ja në parime dhe qëndrime, Ndoka nuk mohon kontaktet që ai ka pasur me disa përfaqësues të selisë blu. Në anën tjetër, kryetari i demokristianëve flet edhe për bisedimet që ai ka pasur me kryetarin e opozitës, Edi Rama, lidhur me mundësinë e rikandidimit të Bamir Topit për President.

Z. Ndoka, prej ditësh në tryezat e organizuara nga PS-ja shohim se nuk ka një qëndrim të unifikuar mes partive të opozitës, njëherë mungon Dule, njëherë tjetër Gjinushi. Në këndvështrimin tuaj, ku po shkon opozita sot? A ka gjasa që ajo të dalë e unifikuar për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme?

Ne jemi një parti që kemi protestuar kundër Kodit Zgjedhor në fuqi, deri me grevë urie në Kuvendin e Shqipërisë, por për fat të keq zëri ynë nuk u dëgjua në kohën e duhur, as nga faktori i brendshëm politik dhe as nga OSBE-ja, që mbikëqyrte procesin e reformës zgjedhore. Kodi Zgjedhor i miratuar me votat e dy partive kryesore rezultoi një dështim: ai nuk garantoi as barazinë e votës, as drejtësinë e zgjedhjeve, as standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian. Kodi i deformuar Zgjedhor dhe keqpërdorimi i tij nga mazhoranca prodhoi një Parlament të deformuar dhe jo përfaqësues, prej nga edhe ka ardhur kriza e vazhdueshme politike, krizë që po mban peng vendin prej më shumë se dy vjetësh. Për fat të keq, Shqipëria as në zgjedhjet vendore nuk arriti standardet e kërkuara, duke na lënë sërish jashtë dyerve të Europës. Në këto kushte, reforma zgjedhore është prioriteti kryesor politik i PDK-së, sepse pa zgjedhje të lira dhe të drejta, nuk do të ketë qeverisje normale, as çrrënjosje të korrupsionit, as zhvillim normal të vendit dhe as anëtarësim në Bashkimin Europian. Ne kemi këmbëngulur dhe këmbëngulim që reforma zgjedhore të mos bëhet pjesë e një pazari PD-PS, por të jetë gjithëpërfshirëse, e konsultuar dhe me konsensusin e të gjithë faktorit politik shqiptar. Për këto reforma Partia Demokristiane ka ngritur një grup pune dhe ka kryer një studim të plotë të proceseve dhe ligjit zgjedhor dhe janë nxjerrë edhe përfundime, se ku duhet të konsistojnë ndryshimet në ligjin zgjedhor, në përputhje edhe me rekomandimet e fundit të OSBE ODIHR-it. Ne duam që nëpërmjet reformës zgjedhore të garantohet vota dhe integriteti i saj. Dhe ne për të arritur në këtë objektiv madhor, që është kushti i pashmangshëm për funksionimin e demokracisë në vend, kemi hartuar propozimet tona që i parashtruam në tryezën e partive të “Opozitës së Bashkuar”, të zhvilluar në selinë e PDK-së. Ne kemi propozuar që nëpërmjet ndryshimeve në ligjin zgjedhor të arrihet në depolitizimin e procesit të administrimit të zgjedhjeve, që sot është monopol i dy partive kryesore dhe në veçanti i mazhorancës, mbrojtjen kombëtare të votës, rishikimin e zonave zgjedhore, duke krijuar një ndarje administrative të zonave zgjedhore më funksionale e më përfaqësuese, si dhe shumë aspekte të tjera që kanë të bëjnë me financimin e fushatave të partive, ndalimin e përdorimit të shtetit dhe të financave publike në fushatë etj. Propozimet tona në tryezën e koalicionit opozitar u dëgjuan me shumë vëmendje dhe unë shpresoj se bashkëpunimi ynë për reformën zgjedhore do të jetë rezultativ dhe serioz dhe se PS-ja do të respektojë mendimet dhe propozimet e aleatëve. Natyrisht jemi në hapat e parë të debatit midis partive opozitare për reformën zgjedhore, por jam i bindur se do të shkojmë drejt një qëndrimi të unifikuar, sepse reforma zgjedhore është në interesin tonë të përbashkët dhe në interes të vendit. Në të kundërt, do të zhytemi edhe më keq në baltën ku e ka zhytur vendin kjo mazhorancë, që nuk respekton alfën e demokracisë, votën e lirë të qytetarëve. Besoj se ndajnë të njëjtin mendim me ne edhe dy aleatët që munguan në tryezën e opozitës, Gjinushi dhe Dule, të cilët për arsye objektive nuk ndodheshin në tryezën e opozitës.

Në tryezën e bisedimeve u vendos se do të dilni me një qëndrim të unifikuar mes partive për reformën zgjedhore. Por sërish në tryezë do të jenë PD e PS. Në rast se gjatë negociatave nuk do të ketë një paketë gjithëpërfshirëse edhe me disa kërkesa themelore nga ana juaj, cili do të jetë qëndrimi që do të mbani? A e keni menduar që të dilni edhe vetëm në zgjedhje, apo ky është një obsion i pamundur për një parti të vogël si e juaja?

E thashë edhe më lart se unë shpresoj se do të arrijmë në një qëndrim të unifikuar. Në tryezën PD-PS përfaqësuesit socialistë do të shkojnë me paketën e propozimeve të “Opozitës së Bashkuar”, jo me paketën e propozimeve të PS-së, për të cilat do të jetë rënë dakord paraprakisht. Unë besoj se tashmë PS-ja i ka nxjerrë mësimet e duhura dhe nuk mund të luajë më në kurriz të aleatëve. Tashmë është bërë e qartë se edhe një aktor politik që mund të duket episodik dhe i parëndësishëm mund të kthehet në faktor vendimtar në përcaktimin e balancave politike. Të mos flasim pastaj për PDK-në, që në zgjedhjet e fundit u dëshmua si një faktor i rëndësishëm politik opozitar, me një mbështetje elektorale që sa vjen e zgjerohet. Ndërkaq, dua të shtoj se PDK-ja nuk është një çetë njerëzish që vë kushte, por një parti institucionale, serioze, që beson te dialogu dhe vlerat, që nxit mendimin pozitiv dhe bashkëpunimin. Ne si PDK jemi kundër pazareve që dëmtojnë demokracinë, që dëmtojnë vendin dhe perspektivën tonë europiane, kundër kompromiseve që u marrin qytetarëve liritë politike dhe ekonomike, kundër kompromiseve, që na kthejnë pas në të shkuarën. Këtë e kemi provuar me qëndrimet tona politike gjatë gjithë kësaj kohe dhe është kjo arsyeja kryesore që ne sot gëzojmë një mbështetje të konsiderueshme politike brenda vendit dhe tek aleatët tanë demokristianë në Europë. Në zgjedhje mund të shkohet edhe vetëm me një Kod normal, por mund të shkohet edhe me koalicione të tjera, në mungesë të reformës zgjedhore. PDK-ja nuk është një forcë politike që i trembet ballafaqimit me votën e qytetarëve dhe nuk do bëhemi pjesë as e një koalicioni nga frika e Kodit, përkundrazi do të kërkojmë dhe do të propozojmë rrugë të tjera më demokratike.

Para pak kohësh, ju keni lakuar emrin e Topit për një mandat të dytë si President. Në fakt, kandidatura e Topit është parë parimisht e pranueshme edhe nga opozita edhe pse nuk ka qëndrim konkret nga ana e tyre apo edhe zyrtar për emrin e tij. Ju vetë a e keni diskutuar ndonjëherë me z.Rama mundësinë e rikandidimit të tij dhe, nëse po, cila ka qenë përgjigjja e tij?

Jo, është ende shpejt për të diskutuar emrin e kandidatit të ri për President. Unë kam shprehur vlerësimin tim për z.Topi, për kontributin dhe qëndrimet e tij kushtetuese si kryetar i shtetit. Duke qenë një ndër politikanët më përfaqësues të së djathtës shqiptare, unë kam shprehur mendimin se kandidatura e z.Topi i bën ndër vendit dhe është një garanci për funksionimin kushtetues të institucionit të Presidentit. PD-ja e sulmon Presidentin për qëndrimet e tij kushtetuese, për faktin se nuk ka pranuar ta shndërrojë institucionin e Presidentit në një institucion të varur nga qeveria, nga Kryeministri. Besoj se këtë fakt e vlerësojnë të gjitha partitë opozitare, por edhe politikanët e së djathtës që janë kundër sundimit të një njeriu, kundër vënies së pushtetit të një njeriu mbi ligjet dhe Kushtetutën.

Me z.Rama nuk kemi diskutuar në mënyrë formale për rikandidimin e z.Topi, por kemi biseduar shpesh mbi rolin e tij në drejtimin e institucionit të Presidentit, ku normalisht nuk kemi ndarë të njëjtat vlerësime për çdo gjë.

Pse mendoni se Topi duhet të garojë për një mandat të dytë dhe sa të mundur e shihni mundësinë që ai të formojë një parti të re të djathtë, duke pasur parasysh faktin se gjasat për t’u rikthyer në PD janë thuajse zero, nisur nga qëndrimi i lidershipit të lartë të PD-së?

Bamir Topi është nga politikanët më të vlerësuar të të djathtës shqiptare. Është politikani më i votuar në sondazhet e organizuara vitet e fundit. Unë besoj se lidershipi aktual i PD-së nuk ka asgjë të djathtë në vetvete, përveç demagogjisë. Pushteti i Kryeministrit ka vetëm një objektiv: të mbrojë karrigen dhe interesat e tij, duke shpërblyer oborrtarët që i shërbejnë, me poste, prona e biznese.

E djathta e vërtetë shqiptare, që nuk është manipuluar nga demagogjia dhe mashtrimet e Kryeministrit, natyrisht mbështet Bamir Topin si një politikan modern, me vizion perëndimor dhe me kulturën politike të së djathtës europiane. Emri i tij ngjall frikë në lidershipin aktual të PD-së dhe kjo është arsyeja e sulmeve të pa principta. Por tashmë kurrkush nuk impresionohet prej sulmeve të tilla, që të kujtojnë sulmet e sekretarit të parë kundër armiqve në plenumet e Partisë së Punës. Krijimi i një force të re politike të qendrës së djathtë është i mirëpritur jo vetëm nga unë, por edhe nga qytetarët shqiptarë, pasi deri më sot diçka e tillë ka qenë e pamundur, për shkak të uzurpimit që i është bërë spektrit të djathtë nga lidershipi i PD-së.

Së fundmi, prej kohësh zyrtarë të PD-së kanë filluar kontaktet me ju personalisht për mundësinë e kalimit me PD-në, në një aleancë të mundshme për zgjedhjet e 2013-ës. Sa serioze janë këto negociata dhe në çfarë kushtesh do të pranonit sërish një rikthim në “bazë”?

Ne jemi një parti opozitare, e mbetur jashtë Parlamentit prej vjedhjes së votës që na u bë në zgjedhjet e vitit 2009. Si parti opozitare, e dëmtuar nga një proces zgjedhor i deformuar keqas, ne natyrisht që do të bashkëpunonim me të gjitha partitë opozitare dhe ato të mazhorancës, së pari në kauzën tonë të përbashkët për zgjedhje të lira dhe të drejta. Ky është një imperativ i politikës shqiptare sot, për të nxjerrë vendin nga kolapsi dhe për ta futur atë në rrugën normale të zhvillimit. Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjithë faktorin politik progresiv, së pari për të garantuar zgjedhjet të lira dhe të drejta dhe së dyti, për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor, të reformave, dhe të zhvillimit, me synimin e vetëm shndërrimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri moderne dhe të zhvilluar europiane. Sa kohë që lidershipi i PD-së bën vetëm demagogji me këto vlera, vështirë se do të ketë bashkëpunim. PD-ja ka barrën e fajit në raportet institucionale politike me Partinë Demokristiane të Shqipërisë. Së pari, ka shkelur në mënyrë të njëanshme, në mënyrë të paprecedente dy marrëveshje politike; së dyti, ka përgjegjësi direkte në vjedhjen e votave të demokristianëve shqiptarë; dhe së treti, reformimi i asaj partie as që ka filluar akoma. Jemi shumë larg në parime dhe qëndrime. Nëse unë do të ulja kokën dhe mbyllja gojën, do të isha akoma deputet dhe ministër i kësaj mazhorance, por kam zgjedhur të jem vetvetja në politikë, kam zgjedhur të përfaqësoj vlerat kristiane në politikë dhe jo të bëj pazare me to. Në politikë nuk thuhet asnjëherë “kurrë”! Por me këtë lidership që PD-ja ka sot, që çdo bashkëpunim e ofron si pazar, që çdo bashkëpunim e vlerëson thjesht votë momentale, mund të them se jemi shumë larg tyre...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›