E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për ish-të përndjekurit nuk përfshin kurrfarë shpërblimi kolaboracionistësh

Zëdhënësi i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Aldo Bumçi hedh poshtë trillimet e medieve të opozitës

TIRANE - Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi deklaroi dje se ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve të regjimit komunist nuk përfshin kolaboracionistët.
Gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësi Bumçi hodhi poshtë shkrimet e botuara në disa gazeta të kontrolluara nga kryetari i PS-së Edi Rama, të cilat shkruanin se gjoja ndryshimet në ligjin “për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë” bëhen që të përfshihen edhe kolaboracionistët.
“Ky është vetëm një trillim që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nuk përfshin kolaboracionistët, por bën disa përmirësime të nevojshme që dolën në pah gjatë aplikimit të tij në lidhje me kategoritë e të pushkatuarve pa gjyq, të personave që vuajtën dënimin në kampet me tela me gjemba, si dhe zgjeron rrethin e përfituesve nga ligji”, saktësoi zëdhënësi i grupit të PD-së.
Sipas tij, ligji përmbush një detyrim madhor të shoqërisë shqiptare ndaj të gjithë atyre që u dënuan për bindjet e tyre politike, duke i vendosur në piedestalin e lirisë të gjithë martirët, si në rastin e Kompanisë 4000, që u flijuan kundër regjimit komunist.
Një ditë më parë Kuvendi miratoi disa ndryshime në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.
Projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, në plotësim të iniciativës ligjore të deputetit të PD-së, Astrit Bushati parashikon dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 - 1 tetor 1991. Projekti përfshin dëmshpërblim edhe për ish-të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpërdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve tek vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e këtyre të fundit. Me këto ndryshime krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve.
Gjatë diskutimit në parlament, opozita e kundërshtoi me forcë ligjin, pasi sipas saj ai dëmshpërblen kolaboracionistët dhe diskriminon familjet e dëshmorëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›