E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas NATO-s, destinacioni i Shqipërisë integrimi në BE

Deklaron ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa

TIRANE - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi dje se pas anëtarësimit në NATO, destinacioni i Shqipërisë është hyrja në Bashkimin Evropian. Vetëm disa orë para ceremonisë zyrtare në Samitin e Strasburg-Kehl-t, ku Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance, ministri Oketa, pjesë e delegacionit shqiptar në këtë ngjarje të rëndësishme, tha se ky proces është kontribut i të gjithë faktorëve dhe aktorëve politikë, civilë e ushtarakë në vend.
“Në asnjë rast përfaqësuesit e mazhorancës nuk e kanë monopolizuar çështjen e anëtarësimit në Aleancë. Në çdo rast është vlerësuar kontributi i të gjithë atyre faktorëve dhe aktorëve, qofshin ata civilë, ushtarakë, politikë, të cilët kanë kontributin e tyre në këtë moment madhor”, tha ministri Oketa.
Ai vuri në dukje rëndësinë e përkrahjes së qytetarëve shqiptarë në anëtarësimin në NATO.
“Rreth 96 për qind e shqiptarëve kanë qenë pro anëtarësimit në NATO. Destinacioni i Shqipërisë është integrimi në strukturat euroatlantike dhe më pas në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes theksoi se ajo që e dallon qeverinë aktuale nga ato të mëparshmet është serioziteti maksimal në rrugën e reformave, si dhe kryerja e tyre në kohën e vendin e duhur.
“Pikërisht, për këtë qeverisja e sotme meriton mirënjohjen e gjithë qytetarëve shqiptarë për këtë proces”, u shpreh Oketa.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›