“Kryeministri Berisha, lideri dhe lokomotiva e reformave të anëtarësimit në NATO”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, flet para nisjes për në Samitin e Aleancës së Atlantikut Verior
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ngjarje historike për Shqipërinë”.
Para nisjes për në Strasburg, kryetarja Topalli, u shpreh në një prononcim për mediat, se “merita kryesore për këtë ngjarje i përket të gjithë shqiptarëve, sakrificës dhe mundit të tyre”. Duke kujtuar kohën e shkurtër në të cilën u krye ky proces, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “fakti është se marrja e ftesës ndodhi në 2008 dhe anëtarësimi i plotë në 2009. Pa dyshim që kjo ka arsyet e veta, pasi ishte kjo mazhorancë që e udhëhoqi këtë proces”, tha Topalli.
Sipas Kryetares së Kuvendit “anëtarësimi në NATO nuk do të ishte bërë i mundur nëse Shqipëria rreshtohej ende si një vend i pasigurt, ku zotëronte korrupsioni dhe mafia”. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se “meritën kryesore në këtë drejtim e ka Kryeministri Sali Berisha, i cili ndërmori reformat e thella që e transformuan këtë vend”. “Reformat kërkojnë lidership dhe padyshim që lokomotiva ka qenë Kryeministri dhe më pas gjithë pjesa tjetër e mazhorancës”, vijoi Topalli.
Pyetjes se çfarë përfiton Shqipëria nga anëtarësimi në NATO, Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj se “së pari vendi përfiton nga pikëpamja ushtarake”.
Duke sjellë në vëmendje artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit, Kryetarja e Kuvendit theksoi se “në rast të ndonjë sulmi të mundshëm ndaj Shqipërisë, bazuar në këtë Traktat, të gjithë anëtarët e Aleancës janë të detyruar që të japin asistencë militare dhe ta konsiderojnë mbrojtjen e Shqipërisë njësoj si të ishte vendi i tyre”.
Kryetarja e Kuvendit kujtoi se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka kërkuar reforma të gjithanshme dhe kjo ka sjellë një realitet të ndryshuar për vendin.
“Kjo ka ndryshuar imazhin e Shqipërisë dhe ka sjellë më shumë investitorë të huaj, që do të thotë më shumë para, vende pune, stabilitet, paqe dhe një perspektivë më të sigurt për të gjithë”, tha Topalli.
Qytetarët shqiptarë, që mbartin një histori luftërash, pushtimesh dhe diktaturash, sipas Kryetares së Kuvendit, “e kuptojnë se sa e rëndësishme është të kenë një aleancë të tërë, garant për sigurinë e Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit bëri të qartë më tej se “NATO nuk është thjesht një Aleancë ushtarake, por është një aleancë politike dhe ekonomike dhe vetë anëtarësimi është një hap tjetër i madh drejt BE-së, sepse të dyja këto procese shkojnë paralel me njëra tjetrën”. E pyetur mbi rolin e opozitës në këtë proces, Kryetarja Topalli u shpreh se “opozita bëri detyrën e vet duke votuar për ligje dhe reforma, siç ishte rasti i Kodit Elektoral”, duke shtuar gjithashtu se ka bërë gjithmonë diferencën mes PS-së dhe individit Edi Rama, i cili nuk përfaqëson ata socialistë që kanë punuar për këtë anëtarësim.
Duke e lidhur anëtarësimin në NATO me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që pritet të zhvillohen në vend, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “nuk e përkthen me vota, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por e konsideron si një hap shumë të rëndësishëm drejt sigurisë”.