Dy ditë festime në Tiranë, për anëtarësimin në NATO
Policia garanton marrjen e masave
TIRANE – Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, do të përfshihet nga një axhendë e pasur me aktivitete festive për ngjarjen e shënuar, të anëtarësimit të vendit tonë në NATO.
Aktivitetet festive të organizuara nga Ministria e Integrimit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të fillojnë sot, ditën kur zyrtarisht Shqipëria do të jetë një ndër 28 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleanca më e madhe e sigurisë në botë.
Festimet do të nisin në orën 10.00 në sheshin “Nënë Tereza”, me një koncert të Ansamblit të Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura, për të vazhduar me një ekspozitë që do të çelet në orën 18.00, pranë Galerisë së Arteve. Krijuesit e rinj, nëpërmjet këndvështrimit të tyre, do të paraqesin rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Ndërkohë, në po këtë orë Parku “Rinia” do të pushtohet nga zërat rinorë. Në këtë karaoke do të marrin pjesë shumë të rinj, duke mundësuar kështu dhe evidentimin e talenteve të reja.
Ndërsa ura e madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të kthehet në një skenë ku do të interpretojnë artistë të shumtë si “Produkt 28”, “Ëest Side Family”, “Kthjellu”, Mariza Ikonomi, Julka, etj. Ky koncert masiv do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit të datës 5 Prill.
Pasditen e së dielës festimet do të vazhdojnë në sheshin “Nënë Tereza”, ku pjesëmarrës do të jenë dhe Kryeministri Sali Berisha dhe personalitete të tjera të jetës politike. Aty do të bëhet dhe zbulimi i instalacionit, simbol i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i përgatitur nga artistja Najada Hamzaj.
Në vijim të këtyre aktiviteteve, në orën 19.00, në sheshin “Skënderbej” do të organizohet koncerti i madh festiv me mbështetjen e Kryeministrit dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në të do të marrin pjesë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj. I ftuar special do të jetë grupi muzikor anglez UB40, që do të interpretojnë për publikun disa prej këngëve të tyre më të njohura.
Lidhur me këto aktivitetet, mësohet se policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e tyre normal.
Burime zyrtare të Policisë së Tiranës, bënë të ditur dje, se lidhur me aktivitetin festiv, duke filluar nga ora 09.00 deri në orën 12.00 do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në sheshin “Skënderbej”.
Gjithashtu, duke filluar nga ora 09.00 e së shtunës deri në orën 13.00, do të bllokohet qarkullimi edhe në sheshin “Nënë Tereza”, ku ansambli i Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të japë një koncert festiv.
Sipas burimeve të mësipërme, ditën e nesërme do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në urën e madhe të Lanës nga ora 16.00 deri në orën 21.00 për të krijuar hapësirën e nevojshme për organizimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadrin e festimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.