E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për kreun e SHISH, Demi: I domosdoshëm në demokraci

Kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi,  e vlerëson pozitivisht kufizimin e mandatit të drejtorit të këtij organi. "Përcaktimin e mandatit e shikoj pozitivisht në kuptimin që të marrim gjithmonë më të mirin dhe të inkurajojmë suksese të mëtejshme në një institucion që është shumë i rëndësishëm dhe shumë i dobishëm në demokraci", shprehet deputeti Demi. Kryetari i komisionit të Sigurisë thotë se "demokracia me Shërbimet e fshehta ka një gjë që nuk shkon pasi demokracia është transparente, ndërsa Shërbimet e fshehta e mbajnë informacionin, nuk e bëjnë të njohur për publikun e gjerë. Ndaj në këtë rast parlamenti është garancia midis këtij Shërbimi dhe publikut. Sa më shumë autoritet ka parlamenti si institucioni që i kërkon llogari dhe e kontrollon këtë shërbim, aq më i qetë është elektorati".Ndryshimet në ligj përfshijnë edhe Kuvendin për një moment të rëndësishëm siç është  përzgjedhja e kryetarit të SHISH. Kryeministri, pasi propozon kandidaturën do të marrë për të parën herë edhe mendimin e komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Më pas, propozimi i kreut të Qeverisë do i kalojë Presidentit të Republikës, i cili, vetëm në bazë të propozimeve të kryeministrit emëron dhe shkarkon drejtorin e SHISH.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›