E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, sa do të paguhen të përmbyturit

Zbardhen tabelat e miratuara nga qeveria për vlerën monetare të dëmshpërblimit për zërat kryesorë
Gazeta “Shqip” ka siguruar tabelat e vlerës monetare që do të shpërndahet për të dëmtuarit nga përmbytjet në Shkodër pas përfundimit të procesit të verifikimit. Tabelat që botohen sot janë ato me të cilat po punojnë grupet e verifikimit të dëmeve në terren dhe janë miratuar me vendim qeverie.Meqenëse një nga shqetësimet kryesore të fermerëve ka qenë mosnjohja e masës së dëmshpërblimit, gazeta “Shqip” po boton tabelat që përmbajnë vlerën monetare të zërave kryesorë.
Verifikimi
Grupet e ekspertëve kanë vazhduar dje ditën e dytë të punës për verifikimin e dëmeve të shkaktuara në zonat e dëmtuara nga përmbytjet. çdo komunë ka grupin e vet të ekspertëve dhe janë 9 grupe të tilla, të cilat përkojnë me numrin e 8 komunave dhe Bashkisë së Shkodrës që u prekën nga përmbytjet e fillimit të këtij viti. Deri më tani janë verifikuar dëmet në rreth 150 banesa të dëmtuara. Mësohet se ekspertët kanë shënuar nëpër formularë tip të gjitha dëmet e deklaruara nga familjarët pas verifikimeve në terren.
Mbledhja e fondeve
Krahas punës për verifikimin e dëmeve, autoritetet po punojnë për gjetjen e fondeve që do të duhen për të përballuar faturën financiare të përmbytjes. Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile zhvilloi dje një takim me partnerët kryesorë të komunitetit të donatorëve, ku u diskutua mbi nevojat dhe mundësitë e financimit për përballimin e situatës së emergjencës civile që u shkaktua nga përmbytjet natyrore në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Synimi i takimit, përveç paraqitjes së nevojave në plan afatshkurtër ishte edhe parapërgatitja e një konference të zgjeruar donatorësh, e cila do të marrë në shqyrtim financime të mundshme, jo vetëm për projektet e vogla lokale për ndërtime argjinaturash, rehabilitim të sistemeve të ujësjellës kanalizimeve apo të shërbimeve të ndryshme publike vendore, por edhe projekte të rëndësishme për vepra të mëdha publike, siç është drenimi i lumit të Bunës për ta bërë të lundrueshëm dhe ndërtimi i një “by pass”-i të madh që do të shërbejë si për mbrojtjen e Shkodrës nga liqeni ashtu edhe si infrastrukturë rrugore moderne lidhëse mes akseve rrugore Shkodër-Hani i Hotit dhe Shkodër-Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›