E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e familjarëve rikthen kërkimet për të mbyturin në Seman

Fier
Erion Korobaci, 30 vjeç, u zhduk në ujërat e lumit Seman mesditën e së dielës

Kanë rinisur mbrëmjen e së martës kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Erion Korobaci, i zhdukur në ujërat e lumit Seman që prej mesditës së të dielës. Të hënën, pas kërkimeve sipërfaqësore, palombarët e ardhur nga Tirana ndërprenë kërkimet. Kjo ka sjellë indinjatën e familjarëve të të mbyturit, të cilët kërkuan me ngulm vijimin e kërkimeve. Protesta e tyre arriti deri në bllokimin e rrugës hyrëse të qytetit të Fierit, në Urën e Mbrostarit, pranë vendit ku dhe u mbyt Korobaci. Protesta e familjarëve të të mbyturit ka zgjatur dy orë gjatë mbrëmjes së hënë dhe ka vijuar edhe gjatë së martës. Përballë një situate të tillë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier vendosi rinisjen e operacionit të kërkimit. Me një shkresë të veçantë, drejtoria e policisë së qarkut ka kërkuar kthimin e grupit të palombarëve. Gjatë së martës kërkimet janë kryer sërish që nga vendi ku Erion Korobaci u mbyt deri në grykëderdhje të lumit. Një varkë me motor ka kontrolluar sipërfaqen e ujit. Familjarët kanë kërkuar të tjera varka, me qëllim kryerje kontrolli edhe nga ana e tyre. Deri pasditen e së mërkurës nuk është arritur të gjendet trupi i të riut të zhdukur në ujërat e lumit Seman. Megjithatë familjarët kanë kërkuar vazhdimin e kërkimeve për disa ditë të tjera.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›