Ligji për mbetjet, Bello: Synon ta kthejë vendin në depozitë të plehrave
Opozita ka kundërshtuar projektligjin Për menaxhimin e integruar të plehrave në seancën e sotme. Sipas deputetëve të majtë, ky projektligj nuk ka të përcaktuar një faturë financiare, çka e vë në dyshim synimin e tij.
Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, e cilësoi situatën e krijuar sidomos në jug të vendit si një politikë antimjedisore të qeverisë.
Në Vlorë, plehërat janë kthyer në rrezik real për banorët. E njëjta situatë paraqitet në periferi të Sarandës, në Vishk të Himarës, Buzë e Lumit në Orikum etj. Shpyllëzimi i Karaburunit, zhdukja e pyjeve, rrafshimi i Pyllit të Sodës janë disa prej rasteve që tregojnë se për çfarë i duhet Vlora kësaj qeverie, tha Toçi në fjalën e tij para kolegëve.
Ai theksoi se projektligji në fjalë duhet të kthehet dhe të plotësohet duke u konsultuar me ekspertë të pavarur të fushës.
Ndërsa për deputetin Marko Bello, nxitimi për ta kaluar ligjin sa më shpejt dhe mosdëgjimi i zërit të ambientalistëve dëshmon se drafti ka si synim importin e plehërave nga vende të tjera.
Bello u ndal në lulëzimin e tregtisë së skrapit, i kthyer tashmë në babëzi. Shikoni se ca ndodh me skrapin, i cili ka çuar në një babëzi aq të madhe sa edhe hekurudhat po shkatërrohen çdo ditë. Uroj që Parlamenti i ri të mos ketë asnjë copë hekuri se me këtë babëzi do tia sharrojnë brenda natës, tha Bello.
Deputeti socialist theksoi se në projektligjin e paraqitur është hequr me dredhi termi depozitim, duke nënkuptuar se depozitimi i mbetjeve do të bëhet në territorin shqiptar.
Nëse do të miratohej ligji, Shqipëria do të kthehej në një depozitë gjigante të plehërave, përfundoi ai.
Ndërsa ministri Olldashi tha se duhet hequr çdo mëdyshje ndaj këtij ligji. “Në bazë të tij, lejohet importi i mbetjeve të riciklueshme, për të cilat industria vendase ka nevojë. Ky ligj rregullon importin e mbetjeve të riciklueshme dhe janë një kategori e mirëpërcaktuar që do të thotë që jo çdo mbetje është e riciklueshme “.
* * *
Seanca e sotme në Kuvend ka nisur me miratimin e kalendarit 3-javor të punimeve, në të cilin është përfshirë edhe ligji për gjykatat administrative.
Në rendin e ditës janë parashikuar disa ndryshime në 6 kode, nisma të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar për tu miratim.
Në fillim të punimeve është diskutuar projektligjin Për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane, i cili është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.
Gjithashtu, në seancën e sotme është parashikuar edhe interpelanca e ministrit të Shëndetësisë dhe atij të Tekonolgjisë e Inovacionit, e kërkuar nga deputetët e opozitës.
Ministri Petrit Vasili do të japë shpjegime mbi skandalin e tenderit për blerjen e pajisjeve spitalore, ndërsa Genc Pollo do të përgjigjet për procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili pritet të nisë në fillim të tetorit.
Ditë më parë, deputetë të opozitës kanë paralajmëruar mosvotimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.