E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për organizimin e gjyqësorit, në Gjykatën Kushtetuese

Reforma në drejtësi pritet të rikthejë debatet midis legjislativit dhe përfaqësuesve të sistemit gjyqësor. Ligji "Për organizimin e sistemit gjyqësor", i miratuar pak kohë më parë dhe i kundërshtuar në disa nga nenet e tij nga përfaqësuesit e lartë të KLD-së dhe gjyqtarëve, tashmë mund të bëhet objekt animimi në Gjykatën Kushtetuese. Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë ka diskutuar dje mundësinë e dërgimit të disa prej neneve të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin, apo edhe interpretimin e tyre. Lajmi është konfirmuar për "Shqip" nga Julian Haxhiaj, sekretari organizativ i Unionit. Sipas tij, reforma në drejtësi sapo ka nisur dhe ligji për sistemin gjyqësor është vetëm hapi i parë i saj. "Janë një sërë ligjesh që duhen ndryshuar apo ribërë, ndër të cilat mund të përmend ligjin për KLD-në, për Shkollën e Magjistraturës, për Ministrinë e Drejtësisë, për administrimin e buxhetit gjyqësor, ndërsa duhet të ndryshohen edhe kodet e procedurave civile dhe penale", u shpreh Haxhiaj. Lidhur me ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor", kryetari i Unionit të Gjyqtarëve, Arkut Kalaja, është shprehur se "KLD-ja për zbatimin e këtij ligji duhet të përcaktojë më qartë sistemin e karrierës, diferencimin e trajtimit financiar të gjyqtarëve së pari nisur nga ngarkesa në punë, vjetërsia dhe kualifikimi profesional". Sipas tij, është fakt se ende nuk ka një nivel të përcaktuar të ngarkesës së punës së një gjyqtari, duke bërë që disa gjyqtarë të gjykojnë deri në 600 çështje në vit dhe disa të tjerë disa herë më pak, ndërkohë që trajtimi mes tyre është i njëjtë.

Në takimin e djeshëm, Kalaja ka shigjetuar edhe ligjin për Konferencën Gjyqësore. "I referohem ligjit ‘Për konferencën gjyqësore kombëtare‘, i cili ka ndrydhur dhe deformuar vullnetin e trupës gjyqësore. Mënyra aktuale e përfaqësimit, ku shumica e anëtarëve të KGJK-së janë të zgjedhur ‘ex oficio‘, ka sjellë ndrydhjen e mendimit të pavarur dhe rrezikun e krijimit të një pushteti nepotik në KGJK", ka deklaruar ai. Unioni i Gjyqtarëve mendon se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese i ligjit për konferencën gjyqësore, nuk e zgjidh problemin, pasi shfuqizimi i ligjit do t‘i linte gjyqtarët fare pa konferencë. Për këtë arsye, kryetari i Unionit ka deklaruar se ata kanë gati një projekt të ri të ligjit në fjalë, ku janë bërë ndryshime, të cilat t‘u japin mundësi gjyqtarëve të shprehin problemet që i shqetësojnë.

Ndër problemet e tjera që duket se shqetësojnë Unionin e Gjyqtarëve ka qenë edhe ajo e ngritjes sa më shpejtë të Gjykatës Administrative. Kjo, sipas shoqatës, do t‘i jepte më shumë mundësi kësaj gjykate të shqyrtojë shpejt konfliktet mes subjekteve të ndryshme shtetërore dhe atyre private, duke minimizuar kështu pasojat ekonomike që rëndojnë mbi këto subjekte nga veprimet e administratës shtetërore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›