E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen 22 mijë dollarë falsë, në pranga 3 persona

Zbulohen 22 mijë dollarë të falsifikuar, të cilët ishin përgatitur për tregun shqiptar. Ato janë sekuestruar gjatë një operacioni të antikrimit ekonomik në Tiranë, ndërkohë që në prangat e policisë kanë përfunduar dy persona. Hetimi për zbulimin e këtij rasti kishte nisur disa javë më parë, ndërkohë që oficerët e antikrimit ekonomik kanë mundur ta konkretizojnë ditën e djeshme. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se pikërisht në orët e mesditës, me ndihmën e sektorit të operacioneve speciale, është konkretizuar ky operacion me kapjen e tre personave dhe sekuestrimin e 22 mijë dollarëve falsë. Sipas grupit hetimor, operacioni u realizua në një zonë afër qendrës së Tiranës. Dollarët amerikanë ishin futur në dy çanta sportive dhe do të transportoheshin në dy mjete. Në këto momente, policia ka ndërhyrë, duke kapur tre persona dhe duke bllokuar dollarët falsë. Sipas policisë, dy nga personat e kapur janë Besnik Sheha dhe Erion K., të cilët mendohen se janë edhe organizatorët e falsifikimit të valutës së huaj. 45-vjeçari Sheha është shoqëruar i pari në polici, por ai nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga policia. Sipas të dhënave, pas tij janë shoqëruar edhe persona të tjerë, të cilët mendohet se janë bashkëpunëtorët e Shehës. Megjithatë, policia nuk i ka publikuar emrat e tyre për arsye hetimore. Grupi hetimor detajoi për "Shqip" se ndaj dy të shoqëruarve nuk është marrë ende ndonjë masë arresti, veprim i cili pritej të kryhej gjatë orëve të natës. "Ndërkohë, mendohet se mund të ketë bashkëpunëtorë të tjerë në këtë grup, kështu që emrat e tyre nuk do të publikohen për momentin", ka deklaruar Policia e Tiranës. Në lidhje me hetimin e këtij rasti, policia tha se puna për zbulimin e grupit ka nisur disa javë më parë, pas një denoncimi të bërë nga një kambist valute. Ai kishte denoncuar në polici se disa persona i kishin dhënë dollarë falsë për këmbim valutor. Kështu, eprorët e policisë ia kanë kaluar këtë dosje seksionit të luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar për hetim të mëtejshëm dhe dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale. Gjatë hetimit, uniformat blu kanë zbuluar se dollarët nuk falsifikoheshin në Shqipëri, por vinin nga vendet e rajonit. Sipas të dhënave hetimore, kjo valutë vinte kryesisht nga Maqedonia, por ende nuk është zbuluar vendi origjinë i falsifikimit të tyre. Megjithatë, policia shpjegoi se hetimi vazhdon në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Tiranës për dokumentimin e plotë të veprës penale, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të kryhen edhe arrestime të tjera.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›