E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për taksat vendore, flet-rrufe në Kuvend

Ligji që kufizon bashkitë dhe komunat në politikat e taksave për biznesin e vogël ka mbërritur dje në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm dy ditë pas miratimit nga Këshilli i Ministrave. Ky është ndër rastet e rralla kur qeveria nxiton të miratojë një ligj që kufizon bashkitë dhe komunat që të hartojnë politikat e tyre fiskale sipas prioriteteve. Në thelb bëhet fjalë për taksën mbi tatim-fitimin e biznesit të vogël, e cila është bërë 10 për qind, nga 1.5 për qind që ishte mbi të gjithë xhiron vjetore. Ndryshimet e këtij ligji erdhën pas debateve të ashpra në distancë mes Kryeministrit dhe liderit të PS-së, duke akuzuar njëri-tjetrin për politika diskriminuese ndaj biznesit. Bashkia thotë se nuk i ka rritur taksat, por ka prekur vetëm tarifat, në raport me përmirësimin e shërbimit, kurse qeveria pretendon se bizneset e vogla po paguajnë më shumë sa duhet.

Sipas ligjit ekzistues, pushteti lokal ka të drejtë që ta ndryshojë nivelin e taksës për biznesin e vogël në kufirin plus-minus 30 për qind. Brenda këtij kufiri, qeveria u la të drejtë vendorëve që të lëvizin, sipas prioriteteve që kanë, duke respektuar edhe qëllimin e decentralizimit. Sipas qeverisë, në një kohë kur bashkitë dhe komunat kanë rritur ndjeshëm tarifat ndaj bizneseve, në të vetmen mënyrë ku duhet të ndërhyjë qeveria, është niveli i kufirit të taksës, e cila tashmë propozohet të bëhet "plus 10 për qind dhe minus 30 për qind". Pra, bashkitë dhe komunat nuk kanë të drejtë që t‘i ulin taksat më shumë se 30 për qind dhe njëkohësisht nuk kanë të drejtë që t‘i rrisin më shumë se 10 për qind, kur më parë ishte 30 për qind.

Burime zyrtare nga Kryeministria deklaruan dy ditë më parë se, "për arsye se në drejtim të Kryeministrit kanë ardhur kërkesa të shumta nga përfaqësues të biznesit të vogël, të cilët kërkojnë hyrjen sa më shpejt në fuqi të ligjit që mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të cilat e rëndojnë atë, Kryeministri Berisha ka komunikuar me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë dhe i ka kërkuar asaj që të bëjë çdo përpjekje në mënyrë që ligji, i cili mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të miratohet sa më shpejt".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›